Zgjedhjet gjithnjë e më të sigurta në korrik! Partitë assesi të merren vesh, Pendarovski u “blen” kohë!


Me shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme, u mësua se zgjedhje më 21 korrik nuk do të ketë. Për këtë angazhohej LSDM-ja, edhe pse partitë e tjera, por edhe njeriu i parë i KSHZ-së ishin kundër. Kur do të skadojnë 14 ditët e reja, në qoftë se partitë nuk arrijnë marrëveshje dhe fillojnë të rrjedhin afatet sipas Dekretit të Qeverisë, atëherë zgjedhjet do të duhet të mbahen në 5 korrik, sepse është e diel dhe pikërisht në atë ditë skadojnë 22 ditë nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme. VMRO-DPMNE-ja edhe pse para një kohe të caktuar ishte “për” zgjedhje, tani nga partia thonë se nuk duan të flasin për këtë temë në kushte kur rritet numri i të infektuarve.

“VMRO-DPMNE-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që të mbahen. Matematikat e Zaevit, diktati i Zaevit dhe plotësimi i dëshirave përmes Spasovskit, janë jashtë fokusit të vëmendjes së VMRO-DPMNE-së dhe në këtë moment ndjehem e pakëndshme të flas për ndonjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve, kur ende luftojmë me persona të vdekur në bazë ditore, nga 3-4 dhe kur ende numërojmë të infektuar të rinj në bazë ditore, nga 30,40, 50, siç ishte dje”, deklaroi Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja thonë se periudha më adekuate për zgjedhjet është para pushimeve verore. Sipas tyre, nuk duhet pritur deri në vjeshtë, sepse mund të ketë valë të re të Kovid-19.

“Çfarëdo idesh për zgjedhje në mes të verës apo vjeshtës janë nebuloze dhe të rrezikshme. Zgjedhje në mesin e verës do ta rrezikojnë të drejtën e votës së qytetarëve, respektivisht do të shkaktojnë konflikt të së drejtës vote me të drejtën e pushimit. Zgjedhje në vjeshtë është ide e rrezikshme për shëndetin dhe ekonominë. Shteti nuk guxon të vazhdojë të funksionojë me Qeveri teknike dhe pa Parlament. Këto dy institucione duhet të jenë në kapacitet të plotë teknik dhe politik, që në mënyrë të suksesshme të ballafaqohemi me Kovid-19” thonë nga LSDM.

Për BDI-në, 5 korrik është datë ideale për zgjedhjet e parakohshme.

“Ne ende insistojmë në atë datë. Është një datë e mirë sepse duke e parë këndvështrim juridik, situata në të cilën jemi është e tillë siç është. Ne nuk kemi Kuvend funksional, në të njëjtën kohë po ballafaqohemi me pandeminë, pra me Kovid-19. Por, në interes të shtetit dhe qytetarëve duhet të kemi institucione funksionale të cilat përveç me pandeminë, do të merren edhe me situatën ekonomike, e cila është problemi më i madh në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë”, deklaroi Blerim Bexheti nga BDI.

Sipas Pendarovskit, partitë janë afër marrëveshjes, duke shtuar se në kushte të tilla, zgjedhjet nuk mund të mbahen këtë javë.

“Në komunikimet e tyre përmendet edhe një ditë jopune si mundësi për votim, jo vetëm e diela siç ishte deri më tani. Kjo është e mundshme me ndryshim të ligjit apo me Dekret, mund të votohet të themi edhe të mërkurën. Por, atë që e di unë është se në dy ditët e fundit, ato komunikime janë ndërprerë, supozoj se për shkak të zhvillimit të situatës. Unë thashë dhe dua të ritheksoj, si një porosi për liderët e partive politike parlamentare – shteti nuk mundet përgjithmonë të jetë në gjendje të jashtëzakonshme, që të mund të funksionojë”, deklaroi Stevo Pendarovski presidenti i RMV-së.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare fillimisht ishin caktuar për 12 Prill, por për shkak të epidemisë së virusit të ri, ato u shtynë. LSDM propozon zgjedhje të shpejta, VMRO-DPMNE nuk përmend datat, BDI është në rolin e ndërmjetësuesit midis dy partive më të mëdha, kurse koalicioni Aleanca-Alternativa propozonte që zgjedhjet të mbahen më 26 korrik. Për këtë çështje u organizuan dy takime liderësh me Presidentin Pendarovski në të cilat nuk ishte arritur asnjë marrëveshje.

Baby Boo