Votimi i diasporës, skandal në Melburn: Deklarohet ministri Edmond Ademi


Procesi i votimit për referendumin e 30-shtatorit ka përfunduar, me dalje shumë të ulët, në Melburn – Australi, ku është evidentuar edhe skandali – incizimi i votuesve, transmeton Portalb.mk. Ministri i Diasporës, Edmond Ademi ka njoftuar se incizuesit janë identifikuar dhe do të përndiqen në bazë të legjislaturës së Australisë.

Nga 104 të paraqitur për votim, kanë dalë në votim vetëm 7 votues. Ajo është diku 6 për qind.

Gjatë votimit në Melburn, votuesit kanë fotografuar fletën e votimit dhe e kanë nxjerrë në rrjetin social Facebook në faqen “Predavnici – Traitors“.

Në lidhje me këtë, është deklaruar ministri i Diasporës, Edmond Ademi.

“Mënyra e incizimit të votuesve në konsullatën e Melburnit nga ana e disa individëve është në kundërshtim të ligjeve dhe vlerave demokratike. I përgëzoj ata qytetarë, të cilët të udhëhequr nga interesat nacionale dhe strategjike të shtetit, sot e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Vota e tyre do të vendoset në themelet e Maqedonisë evropiane, ashtu dhe vota e të gjithë të tjerëve të cilët sot do të votojnë. Njëkohësisht, institucionet e Republikës së Maqedonisë, janë në kontakt me institucionet e Australisë. Rasti është paraqitur, incizuesit janë identifikuar dhe do të bartin pasoja ligjore sipas legjislaturës së Australisë”, ka shkruar në profilin e tij të Facebook-ut, ministri Ademi, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe, diaspora e Maqedonisë është duke votuar në përfaqësitë konsullore në: Bern, Lubjanë, Vjenë, Toronto, Londër, Bon, Hagë, Berlin, Melburn, Kanbera, Bruksel, Stokholm, Paris, Rim, Kopenhagë, Uashington, Detroit, Pragë, Abu Dabi, Beograd, Pordgoricë, Ankara, Athinë, Bukuresht, Stamboll dhe Budapest.

Vendet në të cilat janë paraqitur më së shumti votues janë Berni me 321, Venecia me 264, Ljublana 217, si dhe Vjena dhe Toronto me 151. Më pak se 10 votues janë paraqitur në Budapest, në Stamboll, Bukuresht dhe Athinë.

Përderisa ndonjë votues i cili paraprakisht është paraqitur se do të votoj në Konsullatë udhëton për në Maqedoni nuk do të mund ta realizojë të drejtën e tij për votim në vend, pasi që emri i tij do të jetë i shënuar në vendin që është paraqitur. Votimi në diasporë fillon nga ora 7 e mëngjesit dhe përfundon në orën 19 sipas kohës lokale.

Baby Boo