Thaçi rifton partitë politike të bashkohen për dialogun


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar edhe njëherë partitë politike që të bashkohen rreth dialogut me Serbinë, raporton “Zeri.info”.

Sipas tij, subjektet politike duhet t’i lënë anash interesat personale dhe të dakordohen për fazën finale të dialogut.

“I ftoj që të jenë unikë, t’i lënë anash interesat individuale apo grupore, që të punojnë të gjithë në realizimin dhe vizionin euroatlantik të Kosovës, të marrin përgjegjësi të gjithë, ata që duan të marrin përgjegjësi”, theksoi ai.

Në një konferencë për media, kreu i shtetit e cilësoi si inkurajues debatin që është zhvilluar ditëve të fundit në kuvend, porse kritikoi mosarritjen e një konsensusi rreth kësaj çështjeje.

“Është jashtëzakonisht inkurajues debati në kuvendin e Kosovës, është jashtëzakonisht dëshpërues mosgjetja e një dokumenti të përbashkët shtetërorë. Të jenë të sigurt të gjithë ata që kanë debatuar se kjo është dëshpëruese edhe për qytetarët e vendit, por është inkurajuese edhe për ata që nuk e duan Kosovën”, theksoi ai.

Ndërkohë, u shpreh i bindur se Kosova në negociatat me Serbinë ka fituar tash e tri dekada dhe nuk ka arsye që të frikësohet.

Gjatë deklaratës së tij, Thaçi vlerësoi se kuvendi e ka rolin kyç sa i përket arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë.

“Parlamenti në demokraci askund në botë nuk debaton apo negocion, parlamenti si institucioni më i lartë miraton, refuzon apo jep fjalën e fundit për marrëveshjen eventuale, në këtë rast për marrëveshjen me Serbinë. Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm”, nënvizoi ai./Zeri

Baby Boo