Tetova sërish probleme me mbeturinat


Disa qytetarë kanë reaguar duke nënvizuar se në orët e mbrëmjes janë djegur këta mbeturina dhe është krijuar një erë e rëndë dhe padurueshme nga djegia e tyre

Ditëve të fundit është krijuar sërish deponi e re në Tetovë. Tashmë disa ditë me radhë janë duke u deponuar sasi të mëdha të mbeturinave në hapësirat ku gjendet Stacioni për Ngarkim dhe Shkarkim në dalje të Tetovës, në afërsi të rrugës për në fshatin Trebosh, shkruan gazeta KOHA. Në këtë mënyrë, mbeturinat nga qyteti i Tetovës, gjegjësisht një pjesë e tyre në vend se të dërgohet në Drislla, përfundon këtë vend. Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë has në vështirësi që tërë mbeturinat ti transportojnë në Drislla, dhe në këtë mënyrë – tashmë stacioni për ngarkim shkarkim është rikthyer në deponi.

Disa qytetarë kanë reaguar duke nënvizuar se në orët e mbrëmjes janë djegur këta mbeturina dhe është krijuar një erë e rëndë dhe padurueshme nga djegia e tyre. Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, thonë se është paraqitur problem teknik, gjegjësisht defekt në Stacionin për ngarkim dhe shkarkim dhe presin që një pjesë e dëmtuar të arrijë nga Kroacia dhe të rifillohet me përpunimin e mbeturinave.

“Brenda mundësive tona jemi duke bërë transportin e mbeturinave për në Drislla. Pjesa më e madhe dërgohet atje, por tërë ato mbeturina që grumbullohet nga amvisëritë nuk mund të dërgohet menjëherë, prandaj edhe është krijuar kjo situatë e përkohshme, e cila presim që sa më shpejtë të tejkalohet. Mohojnë kategorikisht se mbeturinat janë djegur”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë. Sipas autoriteteve të kësaj ndërmarrje, në Tetovë brenda ditës grumbullohen sasi e madhe e mbeturinave. Aktualisht në Tetovë grumbullojmë rreth 250 ton mbeturina brenda ditës. Kjo sasi pritet të rritet nga dita në ditë në sezonin që pason, sidomos kjo sasi dyfishohet gjatë verës kur kthehen mërgimtarët dhe kemi dukshëm shtim të popullatës dhe me këtë – automatikisht rritet edhe sasia e mbeturinave si në qytet, po ashtu edhe në vendbanimet përreth”, sqaron drejtori i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka.

Nga Eco Guerilla theksuan se komuna nuk është e aftë që të menaxhojë me mbeturinat dhe duhet që pushteti qendror t’ia merr ingerencat Komunës së Tetovës në sferën e menaxhimit me mbeturinat dhe vetë organizojë të njëjtën. Kanë kaluar dhjetë vite që kur Tetova ishte ngulfatur nga mbeturinat, pasi të njëjtat ishin grumbulluar afër stacionit hekurudhor në Tetovë. Pothuajse që atëherë e këndej problemi me mbeturinat e përkohshme shfaqet kohë pas kohe.

Në këtë drejtim janë edhe shqetësimet e shoqatave joqeveritare, të cilët kërkojnë që ky problem të zgjidhjet urgjentisht. Përndryshe, mbeturinat nga rajoni i Pollogut vazhdojnë të mos transportohen në deponinë Rusino të Gostivarit. Gjatë verës së vitit të kaluar, ky stacion u lëshua në përdorim. Atë kohë u theksua se pas fazës së parë, do të ketë edhe faza tjetër që është selektimi i mbeturinave, por kjo ende nuk ka filluar.

“Faza tjetër e këtij projekti është sa i përket selektimit. Në këtë vend është përmbledhja e mbeturinave në përbërje të plotë dhe transportimin e tyre, kurse me fazën e dytë shohim që të bëjmë edhe selektimin e mbeturinave që mendojmë se do ndihmojë akoma më tepër ndërmarrjen publik”, kishte deklaruar atë kohë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Tashmë mbeturinat transportohen për në deponinë Drislla, që është shumëfish më e shtrenjtë. (koha.mk)

Baby Boo