Sijarto: “Mosfillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut është një hap i pandershëm nga ana e BE-së”


Vonesa e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut është hap i pandershëm nga ana e BE-së, sepse vendi ka bërë gjithçka që është e nevojshme për hapjen e procesit të negociatave, deklaroi ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregti, Peter Sijarto, në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.“Ne ishim të pakënaqur dhe të frustruar me konkluzionet në Bruksel për zgjerimin dhe i konsiderojmë të gjitha ato vendime si shumë të padrejta. Nëse do të donim të ishim të sinqertë, do të duhej të thonim se këtë vit Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë negociatat. Me respekt kërkojmë nga miqtë tanë nga Bullgaria që çështjet e tyre kombëtare që i konsiderojnë si pengesë t’i realizojnë gjatë negociatave, ndërsa jo duke penguar fillimin e negociatave”, nënvizoi Sijarto.

Ai vlerësoi se vonesa e fillimit të negociatave është shkelje e besueshmërisë së BE-së, sepse nga njëra anë BE-ja pranon se maqedonasit kanë bërë përparim të madh, dhe nga ana tjetër nuk i fillon negociatat. “Dhe për shkak të kësaj, ne e konsiderojmë këtë situatë të dëmshme, të rrezikshme dhe në kundërshtim me parimet e BE-së si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në zhvillimin ekonomik”, tha Sijarto.Pozicioni gjeografik i Ballkanit Perëndimor, tha ai, duket se e bën gjithnjë e më të vështirë kuptimin e proceseve që po ndodhin në rajon dhe ne kemi një ndjenjë se politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më joefikase.

“Hungaria kërkon që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë menjëherë. BE-ja tani po përballet me sfida historike dhe për këtë arsye do të na duhej një sukses pozitiv dhe besojmë se zgjerimi do të nënkuptonte sukses për BE-në dhe për këtë arsye Hungaria do të bëjë gjithçka që është e mundur për të filluar sa më shpejt zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”, tha ministrja hungareze e Punëve të Jashtme.Sijarto shtoi se Maqedonia e Veriut ka një rol shumë të rëndësishëm në ndalimin e flukseve emigrante, pasi është në rrugën kryesore të emigracionit, dhe paralajmëroi se në fillim të janarit 30 policë hungarezë do të vijnë për të mbështetur homologët maqedonas në sigurimin e kufirit.

Me këtë rast, Osmani përshëndeti suksesin e Presidencës sllovene në sigurimin e konsensusit për Raportet e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për konkluzionet e Bashkimit Evropian për rajonin, i cili është argument se pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballemi, Bashkimi Evropian mbetet i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.“Gjithsesi ky sukses i pjesshëm i Presidencës sllovene, të paktën këtu tek ne, hyri nën hijen e thellë të mos-suksesit të Unionit që të sigurojë konsensus në operacionalizimin e vendimit të tij nga marsi i vitit të kaluar për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona kanë mirëkuptim për atë se në çfarë mënyre dhe me çfarë argumentesh përdoret ky privilegj nga disa shtete anëtare”, shtoi Osmani.

Ai theksoi se është e pamohueshme që besimi në procesin e zgjerimit është në nivelin më të ulët, gjë që e rrezikon besueshmërinë e gjithë Unionit dhe krijon kriza të reja në gjithë rajonin.“Por detyrimi ynë nuk është që me zhgënjimet t’i shohim mos-sukseset, por të vazhdojmë ballafaqimin me sfidat dhe të ofrojmë zgjidhje. Ne mbetemi të përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që paraqet interesin tonë strategjik dhe mund t’ju siguroj se vazhdojmë të punojmë me fqinjët tanë me ritme të pandërprera. Kemi shkuar shumë larg në këtë proces, për të hequr dorë, por sinqerisht shpresoj që me garniturën e re politike fillojmë një proces të ri vizionar të besimit mes dy vendeve”, theksoi Osmani.Bullgaria është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, shtoi Osmani, duke theksuar se me të drejtë presim që qeveria e re në Sofje të tregojë ndjeshmëri evropiane, partneritet dhe kujdes për fqinjët e saj.“Ne jemi tashmë aleatë të NATO-s dhe miqtë tanë të NATO-s, si Hungaria, presin që ne të tregojmë se jemi mjaft të pjekur për të kapërcyer dallimet tona dhe kështu të kontribuojmë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të përbashkët”, tha Osmani në konferencën për shtyp me ministrin hungarez Sijarto.

Baby Boo