Rrëfehet ambasadori Rrahmani: Si e refuzova Angelina Jolie!


Angelina ishte shumë e gëzuar me faktin se ishte emëruar Ambasadore e Vullnetit të Mirë në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe si e tillë ajo vizitonte vendet e dala nga trazirat dhe luftërat.
Fillimisht pasi që dita kur po e shkruaj Ditarin tim koincidon me Ditën e Mësuesit, të gjithë mësimdhënësve (përveç atij të Drenasit) ua uroj ditën e tyre dhe u dëshiroj shumë shëndet e mbarësi e në të njëjtën kohë sa më pak implikime me politikën.

Botimi i Ditarit tim do të koincidojë me Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërkaq gruas kosovare e kam shumë turp se si t’ia uroj këtë ditë të shënuar. Çfarë i ofruam ne gruas si shoqëri për të uruar sot? Më falni, nuk është bërë as java e plotë prej shqiptimit të dënimit me 3 vjet e gjysmë burgim për personin i cili me veturë të vet dhe nga pakujdesia shkeli dy gra, të cilat nga lëndimet e marra humbën jetët e tyre. 3 vjet e gjysmë burgim? Aq do të duhej të dënohej sikur nga pakujdesia në trafik ta shkelte ndonjë qen apo mace dhe t’u shkaktonte lëndime atyre.

Më falni, unë nuk kam fytyrë që ta uroj gruan kosovare. Të mos përsëritem me rastin e së miturës nga Drenasi. Këto janë vetëm disa nga rastet që ne si shoqëri na ndodhën në raport me gruan kosovare vetëm gjatë muajit të fundit në Kosovë.

Nesër do të prisja që rrugët dhe sheshet të mbusheshin nga burra dhe djem kosovarë duke protestuar për trajtimin e motrave dhe nënave të tyre që ua bën kjo shoqëri.

Sa i përket Londrës, këtu shoh organizime ahengjesh nga komuniteti shqiptar me pjesëmarrëse vetëm gra, të cilat paguajnë nga £50 për person për të “festuar” 8 Marsin nën tingujt e muzikës shqipe, dhe kryesisht nga këngëtarët kosovarë të cilët vijnë enkas për këtë event dhe paguhen me para të majme. ATK a e lexon dikush nga ju Ditarin tim ndonjëherë ose jo?

Për nivel hipokrizie jemi të parët. E për të qenë situata edhe më absurde, as në Kosovë gjendja nuk është asgjë më e mirë. Deksha në lloç edhe për mbrëmjet argëtuese që organizohen për Ditën e Gruas atje.

Por e kuptoj se kërshëria e juaj është duke e acaruar durimin tuaj dhe ju dëshironi që të kuptoni sesi ekselenca ime e refuzoi Angelina Jolien. Po mirë, do t’ju tregoj.

Ishte marsi i vitit 2002 kur unë pranova një e-mail nga Angelina. Asokohe unë nuk isha ambasador në Facebook, mirëpo ende e mbaja titullin e ambasadorit në mIRC dhe pritej edhe emërimi im si ambasador në HI5, një platformë e hershme sociale e cila kishte filluar që ta bënte hatanë. Gjithashtu si hobi punoja në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të ashtuquajturin UNMIK. Angelina ishte shumë e gëzuar me faktin se ishte emëruar Ambasadore e Vullnetit të Mirë në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe si e tillë ajo vizitonte vendet e dala nga trazirat dhe nga luftërat. Ajo e shikonte për së afërmi situatën në ato vende dhe lobonte për të margjinalizuarit, fëmijët, të drejtat e njeriut. Ishte shumë e përkushtuar në luftën e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ekselencë, më shkroi Angelina, “ I kam përcjell me shumë interesim të gjitha ngjarjet e ndërlidhura me Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës. Refugjatët, kampet dhe vuajtjet e njerëzve nëpër to, viktimat e shumta civile të popullatës, si dhe masakrat e ndryshme. Bashkëndiej me vuajtjet e popullit tuaj. Do të ndihesha e privilegjuar dhe do të ishte kënaqësi e imja sikur ju të bëheshit përcjellësi im gjatë qëndrimit tim dyditor në Kosovë në fund të muajit dhjetor, e nëse do t’ju premtonte koha do të shkonim edhe të prisnim Vitin e Ri bashkë diku në Dubai ose në Maldive, apo në ndonjë vend tjetër tuajin të preferuar. Ekselencë, të lutem mos më refuzoni. E kuptoj që ju diplomatët dhe politikanët kosovarë keni refuzuar që të takoni edhe me yje të tjera të Hollywoodit, si Richard Gere i cili që nga ai refuzim ende vuan nga insomnia. Ekselencë, të lutem mos më refuzoni. Po që se më refuzon, të betohem se do të bëj grevë urie dhe do të bëhem anoreksike e do të shkrihem e tëra nga vuajtjet për ty. Ekselencë, të lutem ma lexo CV-në. Kurrë asnjëherë nuk kam lobuar apo jam takuar me ndonjë politikan serb, në fakt, ekselenca e juaj, do e ndaj një fshehtësi me ju. Jam duke e shkruar skenarin për një film, ngjarja e të cilit shtjellohet në Bosnjë-Hercegovinë në kohën e luftës. Serbët do t’i portretizoj mjaft keq dhe negativë, dhe unë do të sprovohem si regjisore. Ju lus që kjo puna e skenarit për film të mbetet mes nesh për momentin, sepse edhe Bradi nuk e di se çka po shkruaj ashtu natën dhe me çka po merrem. Ekselenca e juaj, unë i kuptoj angazhimet tuaja dhe ju lus që ta konsideroni kërkesën time, fundja nëse keni shumë angazhime që të më shoqëroni gjatë vizitës mos ma refuzoni dëshirën që të kalojmë Vitin e Ri së bashku. Një pushim i vogël do të na bënte mirë, xoxoxo Angie”.

E mbylla shpejt e-mailin e hapur në ekranin e kompjuterit tim, duke mos dashur që dikush nga kolegët e mi ta kuptonte skenarin e filmit që Angelina po e shkruante për luftën në Bosnjë. Unë jam njeri i fjalës dhe fshehtësitë di që t’i mbaj. Nisa të mendoja dhe ta analizoja situatën. Nuk e besoj se Angelina dëshironte të bënte avantazh financiar ndaj meje, pasi që isha në proces të trashëgimit të 100 milionë dollarëve nga i afërmi imi Sebastian Rrahmani, i cili e kishte humbur jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni në Nigeri. Tani avokati i tij po i bënte procedurat e fundit që pasuria e tij të më transferohej mua sipas testamentit të tij dhe aranzhimeve ligjore të cilat po i bënte avokati i tij i përpiktë, z. David T. Duddias. Sebastian, shpirti yt bëftë dritë si nuk më harrove në ato momentet e fundit të jetës tënde. Edhe avokatin tënd e përgëzoj për mundin që të më kërkonte ku jam e ku nuk jam dhe që të sigurohej se amaneti yt për trashëgiminë e pasurisë tënde të dërgohej në vend.

Angelina qëndron mirë materialisht, pra kjo nuk do të ishte arsyeja pse do të dëshironte që të më kishte afër dhe të kalonte festat e Vitit të Ri me mua. Pas shumë analizave koncize të cilat vetëm një auditor i përpiktë mund t’i kuptojë, unë e rekomandova veten se ekselenca e saj, Angelina Jolie, vetëm do të dëshironte që ta bënte burrin e saj, Brad Pitt, xheloz me disa selfie/video tona që “pahiri” do t’u binin mediave rozë në dorë. Youtube sapo kishte filluar të popullohej me videot e para. Ishte platformë në rritje e sipër. Deri më sot videoja e ime me Angelinën do të kishte gjeneruar me miliarda klikime, që nëse asgjë së paku do na e siguronin një pension mujor me shumë prej qindra mijëra dollarësh si çdo pensionist tjetër mesatar në Kosovë. Gjithashtu publikimi i fotove tona “pa pëlqimin tonë” do të rezultonte në paditë e ndryshme nëpër gjykata të ndryshme amerikane dhe ndërkombëtare. Edhe nga këto unë dhe Angelina do të fitonim sasi të konsiderueshme të hollash. Në ato rekomandimet nga gjetjet e fundit më rezultonte se Angelina në fund do të ndahej nga burri i saj, ku ajo gjithashtu do të dilte edhe fitimtare financiare nga verdiktet e gjykatës. Ndoshta mund të kishin pak probleme sa u përket fëmijëve të tyre të adoptuar dhe kujdestarisë ndaj tyre, sepse aty që të dy nuk do të lëshonin pe dhe të bënin kompromise.

Por ky ishte ai momenti i thyerjes sime. Më duhej që Angelinës t’i përgjigjesha dhe t’ia thosha atë JO të madhe siç ia tha Titoja Stalinit në vitin 1948. Ishte momenti kur patriotizmi më goditi shkelm që të sillja vendimin e duhur patriotik. Iu përgjigja shumë shkurt: “ Jo, Angelina. LIKE peshon në vendin e vet”.

Me siguri asokohe ajo nuk e ka kuptuar këtë përgjigje diplomatike nga ana e ekselencës sime. Ç’kishin të bënin LIKET me kërkesën e saj, po pyeste Angelina veten në kokën e saj. Kanë që ç’ke me të. Unë këtë storie nuk e ndava në asnjë medie botërore, as në Facebook apo në ndonjë intervistë në ndonjë media botërore apo Youtube. Unë atë e ndava me ju këtu në Ditarin tim në “Koha Ditore” dhe mos hezitoni që t’i bëni LIKE, sepse ai peshon në vendin e vet.

… dhe, po, Angelina e mbajti fjalën e saj u bë anoreksike …

P.S. Ramush, taksën vazhdo mbaje si burrat …

Baby Boo