Shkencëtari nga Maqedonia, Veland Ramadani- I ranguar në “Top 2% i shkencëtarëve më me ndikim në botë”

Kësaj radhe ju prezantojmë me një storie tjetër suksesi nga Maqedonia e Veriut. Bëhet fjalë për Prof.Dr. Veland Ramadani, një shkencëtar i nderuar dhe i vlerësuar në vendin tonë por edhe globalisht. Pëveç rolit të tij si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, po ashtu, është një personazh i suksesshëm edhe në sferën ndërkombëtare, për shkak se së fundmi është përzgjedhur në Top 2% e shkëncëtarëve më të cituar në botë nga Univeristeti i Stanfordit si edhe në Top 4% në kategorinë e biznesit dhe menaxhimit. Në punimin e fundit shkencor ka marrë çmimin “Best Award Letter”.
Ju ftojmë të ndiqni intervistën!

Keni një biografi profesionale goxha të madhe, çfarë qëndron prapa këtij bagazhi?
I rritur në një familje të madhe dhe me një hieraki mirë të etabluar, çdoherë na urdhërohej më të rinjëve që të punojmë shumë dhe të zhvillojmë një garë brenda familjes se kush do të del më i zoti në punët e dhëna. Një kulturë e tillë e ndërtuar ndër vite se qëllimet realizohen vetëm me shumë punë, bëri që edhe unë, që nga fëmijëria, kur të vendosja të marr përsipër një punë për ta realizuar, do të duhej të përgaditesha psiko-fizikisht se më pret punë e rëndë, por megjithatë duhet suksesshëm të dal në fund. Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin Ekonomik në Shkup pata fatin që të punësohem në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, ku natyra dhe kultura e veprimit ishte po aq e ngjashme me atë që isha mësuar që në fëmijëri, se secili prej nesh ka targetet e veta që duhet arrirë, na jepej mundësia të zgjedhim vet strategjitë dhe në fund duhej të dilnim me rezultate të theksuara. Fatmirësisht në atë kohë shumë ndërkombëtarë ishin prezent në këtë institucion dhe prej secilit mundoheshim të marrim nga diçka, që do të na shërbente për depërtim edhe në botën akademike ndërkombëtare. Falë një qasjeje të tillë, dhe duke pasur prapa shpine logon e UEJL-së, sot më është mundësuar që përskaj punës në Universitin tim, të jem aktiv edhe në disa universitet tjera nëpër botë, të jap kontributin tim në institucione dhe kompani të ndryshme dhe kështu, hap pas hapi, duke “bërë punën dhe prit rendin” arrita që të ndërtoj një biografi, relativisht të begatshme për moshën që kam

2. Çfarë do të thotë shkenca e çfarë biznesi për ju?
Shkenca për nga definicioni paraqet një grup njohurish të organizuara në mënyrë sistematike për një temë të caktuar, ndërsa biznesi përfshinë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e mallrave dhe shërbimeve për një fitim të caktuar. Tani, nga kjo, mund të themi se shkenca duhet që të krijojë njohuri, dije të mjaftueshme që biznesi në mënyrën më të mirë të mundshme ta realizojë aktivitetin e vet dhe të realizojë profitet e planifikuara, dhe pastaj një pjesë të profiteve do të duhej t’ia kthejë shkencës, që ajo të ketë mundësinë për të kërkuar edhe më tej dije dhe njohuri të reja për realizim sa më avangard të biznesit. Poqëse arrijmë këtë koreacion ta forcojmë, jam mëse i bindur se do të kemi edhe shkencë më të zhvilluar, por edhe biznese më të qëndrueshme, në kontekst të realizimit të të hyrave dhe profiteve dhe zgjedhjeve të problemeve që tangojnë shoqërinë.

Shkencëtarë në Top 2% e më të mirëve nga Univeristeti i Stanford-it dhe në Top 4% në menaxhment, si e keni pritur këtë mirënjohje?
Duke konsideruar se vijmë nga një vend mjaft i vogël dhe me investime në hulumtim dhe shkencë me vetëm 0,4% nga bruto-prodhimi vendor, gjithsesi se një mirënjohje e këtij karakteri paraqet një nder dhe respekt të veçantë ndaj punës së deritanishme akademike, e aq më tepër kur edhe vitin e kaluar, poashtu isha i ranguar në këtë listë të Universitetit të Stanford-it dhe Elsevier. Ky rangim bazohet në numrin e citimeve të punimeve të autorëve dhe kjo edhe më shumë i shton relevancën e punës sime kërkimoro-shkencore, ngase mjaft autorë nëpër botë kanë parë diçka të vlefshme në të dhe kanë vendosur t’i referohen punimeve dhe gjetjeve të mija në studimet e tyre.

Në kuloaret e ndryshme botërore akademike shpesh kam dëgjuar të thuhet se shumë më me rëndësi është të të rritet numri i citimeve, se sa numri i publikimeve, ngase kur citohesh, ajo paraqet një shenjë se puna yte vlen diçka dhe është e rëndësishme si referencë për studime tjera. Unë kam pasur fatin që të kem përkrahje të parezervë nga institucioni ku punoj, pra, Universiteti i Evropës Juglindore, si dhe mirëkuptim të plotë nga familja, ngase puna akademike kërkon mjaft sakrificë dhe shpesh di të të detyrojë që në periudha të caktuara, të dashurit tu, familjen tënde disi ta ‘leni anash’.

3. Mendoni se politika është edhe biznes?
Nuk mendoj se politika është biznes, por mund të them se të dyjat janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën dhe duhet t’i shërbejnë njëra-tjetrës. Politika dhe qeveria ka për obligim të ndërtojë një eko-sistem të favorshëm për biznesin, ndërsa biznesi nëpërmjet aktiviteteve të tij të kontribuojë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, duke krijuar vende të reja dhe të dinjiteshme të punës, rritjen e bruto-prodhit vendor, pagesën e drejtë të tatimeve dhe kontributeve, promovimit të vendit në tregun ndërkombëtar nëpërmjet produkteve dhe shërbimeve që ofron, etj.

4. Si një kontrubues në hulumtime rreth femrave ndërmarrëse, çfarë thonë studimet e juaja për këtë?
Një ndër punimet e mija të para në arenën ndërkombëtar ka qenë pikërisht një studim i imi rreth femrave ndërmarrëse në Republikën e Maqedonisë, pas së cili pastaj vijuna edhe dhjetëra punime për ndërmarrëset në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Indonezi, Indi, Turqi, vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe ato të Sub-Saharës dhe çuditërisht, pa marrë parasysh kontekstin hulumtues, femrat ndërmarrëse gjithkundi ballafaqohen me sfidat dhe problemet e njejta, si mungesa e përkrahjes nga familja, pamundësia për të balancuar kërkesat e punës dhe familjes, mungesa e mjeteve të nevojshme financiare, trajtimi joserioz nga meshkujt ndërmarrës, edukimi dhe trajnimi joadekuat dhe i pamjaftueshëm rreth biznesit, si dhe përkrahja e pamjaftueshme nga politikat dhe programet qeveritare. Megjithatë, edhe përskaj gjitha këtyre sfidave, numri i femrave ndërmarrëse dhe posedimi/menaxhimi i bizneseve prej tyre gjithnjë e më tepër është në rritje. Nëse vetëm para dy dekadave, bizneset që ishin në posedim të femrave nuk përbënin as 10% e bizneseve, sot në përmasa globale, ky numër shkon në mbi 35% nga totali i bizneseve aktive. Sipas një studimi në SHBA, nga viti 1972, numri i bizneseve në posedim të femrave ndërmarrëse është rritur për 3.000%, ndërsa numri i bizneseve të femrave minorite është rritur për 3 herë më shumë në krahasim me një dekadë më parë.

5. Me cilët autorë të huaj keni bashkëpunuar deri më tani dhe nga cilët vende vijnë ata?
Ashtu siç edhe theksova më parë, Universiteti im më ka mundësuar që nëpërmjet përkrahjes së vazhdueshme financiare dhe morale të ndëroj një rrjet mjaft të gjerë bashkëpunëtorësh, që vijnë nga të gjitha anët e botës. Koautorët e mi vijnë nga Indonezia dhe Zelanda e Re, e deri në anë tjetër të botës, nga Karolina e ShBA-ve, apo Kenia a Gana e Afrikës. Kam pas fatin e mirë të takoj autorë mjaft relevant të fushës së ndërmarrësisë, si Léo-Paul Dana, Robert Hisrich, Alain Fayolle apo Dianne Welsh, nga të cilët kam mësuar shumë rreth hulumtimeve shkencore dhe falë një bashkëpunim shumë të frytshëm me ta depërtoj në konferencat dhe revistat më prestigjioze të fushës sime të studimit, e që lidhen me ndërmarrësinë, inovacionin, biznesin familjar e sjelljen organizative.

6. Çfarë mesazhe përcjell libri “Enterpreneurial Family Business”?
Ky libër është i shkruar në koautorësi me Esra Memili, Ramo Palalic dhe Erick Chang dhe paraqet një udhërrëfyes për një menaxhim efikas dhe efektiv të bizneseve familjare. Bizneset familjare përbëjnë formën dominuese dhe më të vjetër të organizimit afarist. Të kuptuarit e bizneseve familjare varion nga biznesi i vogël që i shërben një lagjeje, tek konglomeratet e mëdha që operojnë në industri dhe vende të shumta Biznesi familjar është ndër bizneset më komplekse për shkak se në këto biznese bëhet përzierja e dy sistemeve: familjes dhe biznesit.

Hulumtimet e para rreth bizneseve familjare ndërtuan model dydimensional të këtyre dy sistemeve të ndërlidhura mes veti, ndërsa më vonë, ky model u shndërrua në tredimensional, ku iu shtua edhe dimensioni i pronësisë, gjë që edhe mëtej e rrit kompleksitetin e tyre. Sukcesioni i biznesit familjar paraqet një nga sfidat më të mëdha të bizneseve familjare. Sukcesioni përfshinë procesin e bartjes së pronësisë dhe menaxhimit nga një gjeneratë në tjetrën – nga prindi tek fëmija. Ky libër poashtu detajisht trajton këtë temë dhe ofron udhëzime për tejkalim sa më të mirë të sfidave të transferimit të menaxhimit dhe pronësisë prej gjenerate në gjeneratë. Tema tjera që trajtohen lidhen me inovacionin në bizneset familjare, pasurinë socio-emocionale, qeverisjen, resurset nerëzore, menaxhimin me konfliket dhe ndërkombëtarizimin e bizneseve familjare.

7. Çfarë do të kishit bërë ndryshe po të ishit sot në moshën e një 20 vjeçari?
Shikuar nga kjo perpsektivë kohore, ndoshta edhe nuk do të bëja asgjë më ndryshe se çka kam bërë atëherë. E tanishmja më lejon të konstatoj se në atë moshë kam bërë përzgjedhjen e duhur për mënyrën se si ta jetoj jetën dhe sa dhe si t’i përkuhtohem karrierës. Në atë moshë, si student në vitin e dytë isha në kërkim të dijeve rreth ekonomisë dhe biznesit. Njëkohësisht punoja me axhallarët në butiqet e shumta me brende të ndryshme botërore, nga akumuloja dije praktike, si dhe merresha me futboll aktiv, si portier në KF “Shkëndija”, Haraçinë. Pra nëa të moshë veproja diçka si në stilin 3 në 1: studime, punë dhe futboll😊.

8. Sipas jush për një biznes dhe jetë të suksesshme cilat janë 3 parimet që duhet ndjekur?
Gjatë ligjeratave shpesh u them studentëve të mi, ndërmarrës potencialë të së ardhmes, që nëse dëshironi ta jetësoni dijen e akumuluar në studime dhe të jeni të suksesshëm në botën e biznesit, përqëndrohuni në këto tri gjëra bazike: inovacion, njerëz dhe marketing. Pra, mos ndaloni së inovuari asnjëherë në punën tuaj, qofshin edhe ato inovime dhe ndryshime minore, përzgjedhni njerëzit e duhur dhe trajtoni ata si asetin kryesor të kompanisë, ndërsa marketingun asnjëherë mos e shihni si shpenzim, por si investim, i cili do t’i multiplifikojë benefitet për ju, biznesin dhe shoqërinë.

9. Çfarë do t’i këshillonit të rinjtë tanë?
Populli jonë karakterizohet me moshë të re dhe numri i të rinjëve fatmirësisht është i madh. Ajo që çdoherë kur ndalem e bisedoj me më të rinjtë se unë, se edhe veten e çmoj ende të ri, çdoherë u them që në jetë duhet të zgjedhin profesionin që ata më së shumti e dëshirojnë dhe jo atë që prindërit apo diksuh tjetër ua imponon. Në atë që përzgjedhin, do të duhet të dijnë se sot do të ballafaqohen me një konkurrencë ekstremisht agresive, andaj ju duhet të investojnë shumë mund dhe punë, u nevojitet akumulim i dijeve dhe eksperiencave bashkëkohore dhe duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë shumë gjëra dhe, poqese do të ndërtojnë një qasje të tillë në jetë, u siguroj se do të dalin të suksesshëm në jetë.