“Rreth drejtshkrimit të përbashkuar!”


Rreth drejtshkrimit të përbashkuar!
Skender Asani

Më lejoni t’ju dëshiroj mirëseardhje në hapjen e konferencës mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë” dhe ekspozitës “Nga alfabeti në drejtshkrim”. Jam shumë i nderuar që ky aktivitet shkencor mbarëkombëtar po shpaloset në Shkup dhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Zaten punët e mbara nisen nga Shkupi. Kështu ka qenë që nga viti 1912-të.

Të nderuar, duke qenë në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne lidhëm memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës, që këtë jubile të madh të gjuhës e të kombit tonë ta shënojmë bashkërisht dhe kështu të dalim përtej kufijve politikë, duke ndërtuar ura kulturore e shkencore, ashtu siç kemi vepruar edhe para 50 vjetëve me vendosjen e gjuhës standarde. Rrjedhimisht, konferenca e sotme është fryt i këtij bashkëpunimi. Ne jemi marrë vesh që konferenca ta ketë temën e njëjtë dhe ajo të jetë e ndarë në tri sesione, madje – përveç kësaj – në secilin sesion të kemi nga dy pjesëmarrës të ndryshëm nga institucionet përkatëse të Tiranës. Prandaj, unë sot jam i nderuar që në mesin tonë, sot në Shkup e nesër në Prishtinë, e kemi një profesor nga Tirana që vetë ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit, duke kumtuar pikërisht për gjuhën standarde.

Derisa flasim për pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit, dua të theksoj se edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në atë kohë nuk kishin asnjë dilemë rreth këtij përcaktimi. Pjesëmarrja e prof. Remzi Nesimit, që kishte kumtesë dhe ishte nënshkrues i Rezolutës së Kongresit, si edhe e prof. Petro Janurës dhe prof. Sejfedin Sulejmanit, ishte dëshmi se në cilën anë do të ishin shqiptarët në gjysmëshekullin që vijonte.

E kur jemi te gjuha standarde, do të më lejoni të flas si historian. Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e Shtypuri Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik. Një komb i ndarë në baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund e gjeti elementin që do ta lidhte dhe do ta njësonte. Gjuha standarde shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit, u bë mjeti që i lidh dhe bashkon shqiptarët, duke ua rrafshuar të gjitha dallimet. Pas këtij kongresi u bë relative se a je shqiptar në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Preshevë, në Ulqin ose në mërgatë, ngase tashmë ishte krijuar indi lidhor i kombit dhe kjo do ta tipizonte secilin shqiptar kudo që të jetë ai. Prandaj, shikuar në këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më e rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë.

Duke qëndruar te tema e alfabetit dhe drejtshkrimit, dua ta falënderoj edhe drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido, që këtë ngjarje e ka begatuar duke e sjellë te ne edhe ekspozitën dokumentare “Nga alfabeti në drejtshkrim”, që e freskon kujtesën tonë për rrugëtimin e gjuhës sonë nga gjendja e shkronjave në gjendjen e shkrimit të njësuar.

Të nderuar të pranishëm, duke qenë në ditën e fundit të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që sivjet e ka shënuar edicionin e katërt, dua t’ju them se këto ditë, që tashmë janë tradicionale të albanologjisë te ne, ndërsa janë emërtuar me emrin e alfabetit dhe janë vendosur në ditët kur është mbajtur Kongresi i Manastirit, këtë vit u janë kushtuar albanologëve gjermanë, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e gjuhësisë sonë. Hahni, Jokli, Majeri, Lamberci, por jo vetëm ata, gjatë këtyre ditëve, ishin në fokus të shumë studiuesve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët me kumtesat e tyre sollën jo vetëm informacione të rëndësishme, por edhe studime të thelluara që do të jenë burime reference për studimet albanologjike.

E dukë qenë në ditën kur edhe zyrtarisht shënohet Kongresi i Alfabetit, që është një festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut, do të më lejoni që prej këtu t’ua uroj të gjithë shqiptarëve këtë festë dhe të uroj që kjo kremte dhe ky kongres të jenë udhërrëfyes të angazhimit të përditshëm shkencor e kulturor. Nëse do të isha subjektiv, do të thosha që shqiptarët e vetëm që këtë festë e kanë të sanksionuar me ligj jemi pikërisht ne dhe kjo na bën të ndjehemi mirë dhe të mburremi që festa jonë është e lidhur ngushtë me shkrimin, me dijen dhe me librin.

Para se të përfundoj, dua të theksoj edhe në gjë. Kjo datë, ky përvjetor dhe kjo ditë është e lidhur pandashëm edhe me një jubile që për ne është jo më pak i rëndësishëm. Sivjet bëhen 15 vjet që nga themelimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, që – pa ekzagjeruar – do të thosha se i ka dhënë trajtë tjetër identitetit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Janë rreth 40 konferenca shkencore, disa qindra botime dhe shumë hulumtime shkencore që i kanë bërë shqiptarët e këtij vendi të respektuar jo vetëm para fqinjëve tanë vendorë dhe miqve të huaj, por edhe për bashkëkombësit tanë në rajon. Prandaj, do të më lejoni që kolegëve të mi dhe gjithë atyre që kanë kontribuar në krijimin dhe sot ndihmojnë në zhvillimin e këtij instituti, t’ua uroj këtë përvjetor jubilar, me shpresë se ne e kemi arsyetuar punën tonë dhe të bindur se historia për ne do të rezervojë një vend modest në faqen e kontributeve për avancimin e kombit.

Po e përfundoj fjalën time duke ju falënderuar edhe një herë që jeni sot këtu, sepse megjithatë Institutin nuk e përbëjnë objekti dhe librat, por njerëzit dhe veprat e tyre.

Baby Boo