Rrëfimi i Arta Jasharit, vajza që po kujdeset për babain e prekur nga COVID-19


Sopranoja Arta Jashari ka folur për gjendjen shëndetësore të babait të saj profesorit si dhe drejtorit të Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari i cili është i prekur me virusin COVID-19. Arta tha se është duke u kujdesur për babain e saj qysh nga fillimi i paraqitjes së simptomave të para me virusin COVID-19. Ajo tregoi se gjendja e tij aktuale është shumë më e mirë se nga ajo që e ka kaluar ditë më parë.

“Gjendja momentale është shumë më mirë se e ditëve të kaluara si duket është duke u shëruar edhe pse ngadalë. Por sot është shumë më mirë. Fillimisht ka pas simptoma shumë të lehta ethe temperaturë koll. Por ka pas një ligështim dhe nuk e dinim se nga i vinte. Ka kërkuar ndihmë në një Qendër të Mjekësisë Familjare, ku më pas ju kanë bërë disa testime dhe kontroll. I kanë shkruar një recetë me antibiotikë. Më pas brenda dy ditësh u përkeqësua gjendja dhe e çuam në Infektivë në mëngjes. Më 26 qershor babi është hospitalizuar. Fillimisht në Infektivë për t’i bërë testin. Ishte në gjendje shumë të rëndë me diarre. E vendosën në Klinikën e Pulmologjisë ku i dërgojnë pacientët deri sa të marrin testin i cili vonon. Aty ka marr terapinë dhe hospitalizimin” rrëfen ajo.

Arta theksoi se pas qëndrimit katër ditor në Klinikën e Pulmologjisë, ajo kishte insistuar që babain ta marr për në shtëpi, pasi siç tha ajo kushtet jo të mira të klinikës e detyruan ta marr këtë veprim me lejen e mjekëve.
“Në Pulmologji ka ndejt katër ditë, dhe meqenëse nuk ka pas lëvizje në aspektin e përkeqësimit të frymëmarrjes, mu ka dukë që aty është më i rrezikuar prej pacientëve të tjerë dhe kushteve të cilat nuk janë aspak të mira. Jam detyruar dhe kam biseduar me pulmologun Flamur Marku të cilin e falënderoj për kujdesin gjatë gjithë kohës, motrat e stafin, si dhe Ardian Hotin. Veprimet e mia janë të aprovuara nga mjeku” tha ajo. Ajo shpjegoi se janë bërë 10 ditë që janë duke qëndruar në shtëpi me babain e saj, si dhe shpjegon kujdesin e shtuar me të cilën e trajton sëmundjen e tij.

“Tashmë janë bërë 10 ditë që ne jemi në shtëpi, në distancë. Zgjohemi në gjashtë të mëngjesit. Marr infermieren që ia jep terapinë përmes infuzionit. Bëj dezinfektimin vazhdueshëm, vishem sikurse mjekët që janë në ambiente me COVID-19. Është një lodhje dhe stres. Tërë kohën ia masë parametrat se si është, meqë është me katër stenda dhe me diabet. Deri në gjashtë herë jam detyruar që të shkoj në barnatore. Ai është shumë vital dhe asnjëherë se kam pa prindin në këtë gjendje të tillë”, vazhdon rrëfimin ajo.
Ajo po ashtu komentoi edhe opinionin e një pjese të qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk besojnë në ekzistimin e virusit COVID-19. Arta tha se ka parë shumë situata të vështira në Klinikat e QKUK-së, dhe se situata është shumë shqetësuese për ata qytetarë të cilët nuk besojnë në ekzistimin e virusit.

“Për vete nuk e kam ditur dhe s’kam pas asnjë minutë kohë që të shikoj çka po ndodh jashtë. Pasi fillova t’i publikoj fotografit në Facebook, meqenëse ka pas dezinformata për gjendjen e tij, atëherë e vërejta që njerëzit nuk po besojnë që ekziston virusi. Prej fillimit kur ka filluar pandemia kam qenë shumë aktive në media për me mbajt distancën dhe me u kujdes për të gjitha masat mbrojtëse. Paska njerëz që nuk po besojnë fare në virus. Çka unë kam parë nëpër spitale, gjendja është shumë e tmerrshme. Me i pa familjarët e juaj dhe mos me mujt me i ndihmu…janë diku 30 për qind e popullatës që nuk besojnë që ekziston virusi. Unë po ju them, me prindin kemi pas shumë sfida në jetë, mirëpo të llojit të tillë asnjëherë. Është shumë shqetësuese që njerëzit nuk besojnë që ka virus”, ka sqaruar.

Arta po ashtu tregoi se si një çift, fqinjë i tyre, kujdesen që t’ju përgatisin drekën dhe ia sjellin me qese në shtëpi. “Është një çift këtu i vjetër baci Ismet dhe inxhja Hamide, çdo ditë na e sjellin ushqimin, drekën në qese dhe unë dal e marr. Gjithmonë më pyesin se çka doni me ju mbaru. Unë i falënderoj shumë”, tha ajo. Arta po ashtu tregoi se edhe pse gjatë tërë kohës kujdeset për babain, ajo ndjehet shumë mirë me shëndet dhe deri më tani testet që i ka bërë kanë rezultuar negativ.

“Për tu siguruar e kam bërë testin dhe kam dal negativ. Po shpresoj të vazhdoj kështu edhe pse duhet të testohem sërish. Prej fillimit të pandemisë kam qenë shumë e kujdesshme dhe kam bërë thirrje që të mbrohemi nga virusi COVID-19”, ka përfunduar rrëfimin për sfidën që është duke e kaluar babai i saj i prekur me virusin COVID-19, si dhe përkujdesjen që ia bën ajo babait të saj.

Baby Boo