ASH: Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së saj ka sjellë rritjen e krimit dhe korrupsionit


Aleanca për Shqiptarët për 21 vjetorin e marrëveshjens së Ohrit shkruan:
Marrëveshja e Ohrit është dokumenti që bëri kthesë në vend dhe që ishte menduar të nxisë barazinë mes popujve dhe zhvillimin e vendit dhe qytetarëve. Për këtë dokument shumë të rinj e të reja sakrifikuan me jetën e tyre, shumë vendbanime u dëmtuan rëndë dhe ende ndjejnë pasojat.

Sot 21 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ende nuk është arritur qëllimi në asnjë nga shtyllat e këtij dokumenti, ndërsa në disa prej tyre kemi regres. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, jo vetëm që nuk është arritur, por edhe është devijuar dhe zëvendësuar me përfaqësim partiak në pozicione të larta dhe kyçe për sistemin. Sot nuk ka jo vetëm barazi mes popujve, por nuk ka as drejtësi individuale për qytetarët. Në sferën ekonomike, jo vetëm që është rritur varfëria, por është thelluar edhe diskriminimi në ndarjen buxhetore në baza etnike. Sot shqiptarët janë me probleme financiare, ndërsa vetëm pushtetarët janë bërë milionerë. Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së saj ka sjellë rritjen e krimit dhe korrupsionit, kryesisht në dëm të qytetarit shqiptar.

Për ta kuptuar më qartë dështimin e qeverive të këtyre dy dekadave, të udhëhequra nga BDI, mjafton të kujtojmë se një fëmijë i lindur në vitin 2001, sot në moshën 21 vjeçare ka ndërprerë studimet dhe ka braktisur vendin, duke marrë rrugën e mërgimit. Shumë nga bashkëmoshatarët e tij janë fëmijë të dëshmorëve që sakrifikuan për këtë marrëveshje dhe shumë gra që atëherë ngelën pa burra, sot i përcollën edhe djemt e tyre.

21 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, partia në pushtet BDI, mburret me migrimin e të rinjve dhe me investimet e pakta të afaristëve privat, duke tentuar të vjedh mundin dhe sakrificën e tyre, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Baby Boo