Referendumi është përcaktim politik, jo kusht ligjor në Marrëveshje


Dalja në referendumin e ardhshëm është një nga çështjet që mbizotërojnë në debatin publik për prononcimin plebishitar të planifikuar për më 30 shtator, i cili përcakton edhe fatin e Marrëveshjes së Prespës dhe të së ardhmes euroatlantike të vendit.

Sipas shefit të diplomacisë, Nikola Dimitrov, referendumi nuk është një kusht ligjor i Marrëveshjes. Në të  përmendet referendumi, por ai, thotë Dimitrov, është një angazhim politik dhe një premtim nga LSDM-ja në programin zgjedhor dhe në programin e VMRO-DPMNE që nga viti 2005.

“Në programin e fundit të VMRO-DPMNE-së që erdhi në zgjedhjet e vitit 2016, nuk ka cenzus. Në program thuhet se nëse ka një marrëveshje në tryezë do të kërkojmë nga qytetarët dhe nëse shumica thonë “po”, do ta konfirmojmë atë marrëveshje. Në programin e opozitës për 27 vjet nuk kemi asnjë marrëveshje. Për herë të parë kemi në tryezë një marrëveshje, e mbrojmë atë që është më e rëndësishmja – kush jemi. Ata që në vitin 2005 flasin për referendum, ia arritëm kësaj dite. Referendumi ynë është për gjashtë ditë dhe shihni në çfarë situate ndodhemi. Është koha që të bashkohemi rreth kësaj çështje”, tha Dimitrov dje në konferencën e shtypit në qeveri kushtuar sqarimit të të gjitha aspekteve nga Marrëveshja me Greqinë.

Sipas tij, legjitimiteti i referendumit do të jetë një shumicë e madhe, dhe këtu, thotë ai, indikatorë do të jenë shumica e deklaratave të mëparshme të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por tha, nuk mund të them një numër konkret.

Kreu i opozitës të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një intervistë javën e kaluar doli me qëndrimin se nëse referendumi është i suksesshëm dhe shumica voton në mbështetje të pyetjes së referendumit, partia do ta respektojë atë.

Ai gjithashtu edhe në marshin protestues të organizuar nga partia opozitare në Ohër e konfirmoi  qëndrimin se marrëveshja për ndryshimin e emrit është e dëmshëm dhe duhej refuzuar. Marrëveshja, tha ai, është “mishi i egër” i futur në një organizëm të shëndetshëm. Duke iu referuar referendumit, ai përsëriti qëndrimin e partisë që secili të vendosë në mënyrë të pavarur.

Me mesazh se do ta bojkotojë referendumin, nga SHBA-ja u prononcua presidenti Gjorge Ivanov.

“Nuk do të dal të votoj më 30 shtator. Kur mora detyrën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, bëra një deklaratë solemne që do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet. Unë nuk devijoj nga betimi im”, thotë Ivanov.

Për Dimitrovin dhe LSDM-në në pushtet, bojkoti i Ivanovit është shmangia e përgjegjësisë. Sipas tij mjeti më demokratik në çdo demokraci është referendumi dhe sipas tij ata që do të votojnë në referendum do të marrin pjesë në vendimet për të ardhmen tonë.

“Nuk mund të rrini në shtëpi, e të ndikoni në vendim. Nëse ka një votë më tepër “jo” kundër anëtarësimit në BE dhe NATO ne do të përkulemi dhe do të themi kjo çështje nuk kalon. Megjithatë vetëm ata që votojnë mund të ndikojnë mbi këtë vendim. Nëse shumica e madhe e qytetarëve thonë “po” madh edhe të mos ketë census, kjo do të merret parasysh, megjithatë situata do të kthehet në Kuvendin e RM-së. Për këtë të mos merret pjesë me votë personale në një vendim të këtillë madhor është ikje nga përgjegjësia”, tha Dimitrov.

Për LSDM-në “mbetja e fundit e regjimit kriminal të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov është kundërshtar i demokracisë, sepse ai e konteston  mjetin më të rëndësishëm demokratik – votën, ndërsa, citojnë pikërisht përmes votimit dhe zgjedhjeve, Ivanovi u bë president.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Maqedoni Xhes Bejli konsideron se vendimi që qytetarët e Maqedonisë duhet ta sjellin në referendum është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye shpreson se do të dalin dhe do ta thonë mendimin e tyre.

“Më vjen mirë që jam këtu në këtë udhëkryq të Maqedonisë, në një kohë kur Maqedonia është në udhëkryq dhe në vendimin shumë të rëndësishëm që duhet ta sjellin qytetarët të dielën që vjen. Shpresoj se qytetarët do të dalin dhe do ta thonë mendimin e tyre, cilido qoftë ai, kjo është pjesë e rëndësishme e procesit demokratik”, tha Bejli gjatë vizitës së tij të djeshme në komunën e Kumanovës.

Baby Boo