Parregullsitë në UNT, Pollozhani nuk prononcohet


Rektori i UNT-së Aziz Pollozhani shmang pyetjet e Televizionit Alsat për të sqaruar parregullësitë e konstatuara në Universitetin Nënë Tereza. Ai nuk sqaron as përgënjeshtrimin e dërguar ditë më parë në adresë të Televizionit tonë, pas publikimit të informacioneve për shkelje të caktuara në këtë universitet.

“Në qoftë se keni diçka për këtë ngjarje do të flasim. Për tjetër gjë, sot nuk kemi asgjë”, u shpreh Aziz Pollozhani.

Jasht temës kemi pyetje.

“Jo, jo, sot jo”, tha shkurt Pollozhani.

“Intervistën nuk e keni kërkuar. Keni dërguar pesë pyetje dhe u jam përgjigjur çdo ditë dhe saktë. Ju nuk i merrni parasysh përgjigjet”, u shpreh Pollozhani.

Kemi kërkuar me e-mail intervistë dhe keni thënë nuk japim.

Kërkesa për intervistë me Pollozhanin është dërguar në adresën elektronike të UNT-së që në datën 6 qershor, tetë ditë pasi ishin nisur dyfishi i pyetjeve që pretendon ai, për çështjet me interes. Po të njëjtën ditë nga universiteti janë përgjigjur se “qëndrimi i tyre është ai i përgjigjeve që kanë dërguar me shkrim para disa ditësh”. Por, pas publikimit të informacioneve të para, UNT-ja përgënjeshtroi Alsatin duke akuzuar për shpifje dhe tendencë.

Z. Pollozhani, së fundmi keni akuzuar Alsatin për shpifje. Sa i takon konkursit për përzgjedhjen tuaj Rektor…

“Unë s’kam përmendur asnjë media. Me fal! Ditën e mirë!”, tha shkurt Pollozhani.

Keni demantuar Alsatin…?

Alsat ka siguruar padinë kundërvajtëse në Gjykatën Themelore për Pollozhanin nga Inspektorati i Arsimit, për përzgjedhjen e Bashkim Idrizit profesor inordinar në Fakultetin e ndërtimtarisë dhe arkitekturës. Kjo, pasi universiteti nuk ka mënjanuar në kohë shkeljet e konstatuara, gjegjësisht nuk ka asgjësuar zgjedhjen profesor inordinar të Idrizit. Deri tani nuk ka epilog gjyqësor.

Idrizi ka ankimuar në Gjykatën Administrative dhe më vonë në Gjykatën e Lartë Administrative, vendimin e inspektoratit të arsimit i cili nga UNT-ja ka kërkuar shkarkimin e tij. Megjithatë ankesat e tij janë hedhur poshtë si të pabaza.

Për më tepër, Alsat ka siguruar edhe vendimin paraprak nga Universiteti i Tetovës ku Idrizi ka qenë i angazhuar më herët, për asgjësimin e zgjedhjes së Bashkim idrizit në titullin mësimor-shkencor docent dhe profesor inordinar në Fakultetin matematik-natyror. Vendimi i UT-së ka ardhur pasi është konstatuar se Idrizi që është doktor i shkencave teknike, sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Fraskatit, nuk mund të jetë docent dhe profesor inordinar në lëndën Kartografi teorike dhe praktike në Fakultetin e matematik-natyror në UT shkaku i mos-përputhjes së kategorive.

Edhe përskaj këtij vendimi të UT-së, Idrizi në UNT është zgjedhur përsëri me të njëjtin titull, sikur asgjësimi të mos kishte ndodhur. Përgjigja e UT-së ishte se Bashkim Idrizi, nga komisioni amë është zgjedhur profesor inordinar në programin studimorë të gjeodezisë.

Së fundmi, është njoftuar se UNT-ja nuk ka përfaqësim të drejtë të studentëve prej 15% në senat, ka pasur parregullësi në konkursin për zgjedhjen e rektorit si dhe ka vonesa të theksuara në ndërtimin e objektit të posaçëm, për të cilat vonesa është e obliguar të paguaj edhe dënim.

Në mungesë të hapësirave të përshtatshme, veçanërisht të amfiteatërve, ceremonia e fundit për dekorimin e nobelistit dhe shkencëtarit me famë botërore Ferid Murad me titullin “Doctor Honoris Causa” u mbajtë afër zyrave të rektoratit, në Qendrën Kulturore-Informative.Alsat-m

Baby Boo