Nga shtatori ndalohen celularët në shkolla, penalizim mësuesve dhe nxënësve që e shkelin


Viti i ri shkollor vjen me një risi për nxënësit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar, nga cikli fillor e deri tek ai i mesëm. Telefonat celular nuk do lejohen të përdoren gjatë procesit mësimor. Ky është urdhri i firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, të cilin e ka siguruar “Shqiptarja.com”. Nisma parashikon fokusimin e nxënësve por edhe të mësuesve në funksion të procesit mësimor, ndërsa vlen të theksohet se është hera e parë në vendin tonë që tentohet zbatimi i një mase të tillë të fortë.

Në urdhrin e firmosur nga Nikolla, thuhet se “ndalohet përdorimi i telefonit celular gjatë procesit mësimor si nga mësuesit dhe nxënësit në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar”. “Njësitë arsimore vendore dhe drejtoritë e shkollave janë përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri dhe për marrjen e masave sipas akteve normative në fuqi në rast të shkeljes së tij”. 

Ministria e Arsimit është kujdesur të parashikojë edhe rastet e shkeljes së urdhrit për të cilin do ketë masa penalizuese si për nxënësit ashtu edhe mësuesit. Burime nga Ministria e Arsimit thanë për “Shqiptarja.com” se shkelësit e këtij urdhri rrezikojnë deri në përjashtim nga shkolla për rastin e nxënësve si dhe pezullim e shkarkim nga puna mësuesve.  

Parashikohet që në fillim të mësimit, nxënësit të dorëzojnë telefonat celularë në dollapët e klasave respektive dhe do t’i marrin ato vetëm në përfundim të procesit mësimor. Mbetet për t’u parë si do ta presin nxënësit dhe mësuesit urdhrin e ri dhe ndër më të fortët të Ministrisë së Arsimit.

Më herët, një praktikë e tillë u zbatua në Francë dhe pritet që nga shtatori i këtij viti, të implementohet edhe në vendin tonë, çka do të përbënte një risi për sistemin tonë arsimor parauniversitar.

Baby Boo