NË GREQI PROTESTA NË PRAG TË BISEDËS OSE TAKIMIT TË PRITUR MIDIS ZAEVIT DHE CIPRASIT


Në Greqi dje në 24 qytete janë mbajtur protesta kundër “karakterit grek të Maqedonisë”, ndërsa edhe Athina edhe Shkupit janë në pritje të bisedës së paralajmëruar telefonik ose takimit midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
Derisa grekët protestuan, as në Shkup e as në Athinë nuk ka konfirmime zyrtare për atë se kur do të mund të kontaktojnë Zaev dhe Cipras, si hap i mëtutjeshëm në procesin e negociatave, me të cilin do të konfirmohen arritjet e deritanishme dhe do të arrihet marrëveshje eventuale për emrin.

Në sheshin në qytetin, Pela, afër monumentit të Aleksandrit të Madh, u mbajt tubimi qendror, në të cilin u mblodhën mijëra qytetarë, me flamuj grekë dhe porosi se Maqedonia është greke. Protestat paralele në orën 19:30 sipas kohës lokale filluan në 24 qytete të ndryshme. Demonstratat nëpër tërë Greqinë, ishin në atmosferë të qetë, me përjashtim të ishullit Kretë, ku ka ndodhur një incident i vogël midis grupit anarkist dhe policisë, ku u lëndua një polic.

Pala e Maqedonisë nuk jep informacione zyrtare për atë se kur do të realizohet biseda telefonike ose takimit midis dy kryeministrave.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski sot në konferencë për shtyp nuk saktësoi deri ku janë negociatat dhe nëse është i mundur takim ose bisedë telefonike të kryeministrave të Greqisë dhe të Maqedonisë deri në fund të javës. Nuk dëshiroi të japë as koment në statusin në Fejsbuk të Antonio Milloshovskit nga VMRO-DPMNE-ja.

“Nga burimet diplomatike: të enjten ose të premten (këtë javë) do të ndodh takimi Cipras – Zaev në Prespën e Vogël greke dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë. Koordinues i përgjithshëm për këtë ngjarje dhe nënshkrimin është Bojan Mariçiq, këshilltar në kabinetin e kryeministrit”, është statusi në Fejsbuk të cilin Milloshovski e publikoi në profilin e tij.

“Kemi konferencë zyrtare për shtyp në Qeverinë e RM-së. Nuk lejuan të komentojmë informacione jozyrtare pa dallim nga cilat burime vijnë, derisa nuk kanë kredibilitet dhe legjitimitet”, tha Boshnjakovski.

Kryeministri Zaev pardje deklaroi se në pyetje janë ditë kur do të ndodh biseda telefonike mes tij dhe Ciprasit dhe shtoi se për momentin ende krijohen rrethanat që të realizohet kjo.

Pala greke pohon se jemi afër marrëveshjes dhe se në lëvizje është Zaevi.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Janis Amanatidis theksoi se jemi afër marrëveshjes dhe në pritje të vendimeve të kryeministrit të IRJM.

Ai theksoi se nuk shqetësohet për vonesën në proces, pasi “në anën tjetër i duhet kohë për ta shqyrtuar marrëveshjen”.

Marrëveshja është në rreth 20 faqe në të cilat janë përmendur të gjitha çështjet: irredentizmi, rishikimi i Kushtetutës, erga omnes, emër dhe zhvillim i agjendës për bashkëpunim, ndërsa gjithsesi edhe afati kohor në të cilin do të implementohet e gjithë kjo. Për ratifikimin dhe implementimin janë paraparë hapa konkrete – ratifikimi në Kuvendin e Maqedonisë, pastaj referendum dhe ndryshime kushtetuese dhe më pas dritë jeshile nga Parlamenti grek.

Sipas vlerësimeve të shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias, nëse marrëveshja ndodh së shpejti, në Kuvendin e Maqedonisë do të arrijë javët në vijim, referendumi me siguri do të jetë në vjeshtë, ndërsa pas referendumit, do të bëhen ndryshime kushtetuese.

Lideri i Potami, Stravros Teodorakis shfaqi optimizëm për zgjidhje, duke theksuar se në dobi edhe të Greqisë është që të arrihet marrëveshje, sepse “duhet të gjithë seriozisht të mendojnë nëse ndoshta sjellja greke e çon Shkupin në pako tek turqit”.

Lidhur me gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas si pjesë e marrëveshjes, Teorakis përkujtoi se “pa u pyetur, vetëvendosja është e drejtë e garantuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Në lidhje me atë çka duhet të përmbajë marrëveshja, Teodorakis thotë se për të është me rëndësi të mos ekzistojnë vizione irredentike ndaj Greqisë nga vendi fqinj, por edhe se është “qesharake që grekët të ndjehen se janë nën kërcënim nga Shkupi”.

Ai u përqendrua edhe në aspektin kishtar, duke thënë se Patriarku Ekumenik Vartolomej punon intensivisht në prapavijë dhe është i vendosur ta mbyllë çështjen me kishën e Shkupit.

Njeriu i parë i partisë qendrore-majtiste ka pasur takim dhe bisedë me Vartolomej gjatë vizitës në Greqi të Patriarkut Ekumenik, ndërsa njëra prej temave ishte edhe çështja me KOM-in.

Ndërsa, kryepeshkopi grek Jeronimis dje para fillimit të protestave tha se çështjet, siç është ajo e kontestit të emrit, nuk zgjidhet me protesta,

Për dallim nga protesta në Athinë prej para katër muajve, kur Kisha ortodokse greke e përkrahu tubimin dhe ka marrë pjesë me tre përfaqësues, tani kryepeshkopi grek thotë se qëndrimi i tij është se çështjet e tilla nuk zgjidhen me protesta.

Baby Boo