Naftën e paguajmë si zviceranë, rrogën si afrikanë


Sa herë që ka një rritje të çmimit të karburanteve në Shqipëri, qeveria ka larë duart duke e gjetur fajtorin jashtë kufijve përmes fjalëve të zakonshme se çmimi përcaktohej nga “tregjet ndërkombëtare”.
Të njëjtin justifikim përdori edhe këtë radhë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj kur u pyet mbi çmimin rekord të naftës, që këto ditë i është afruar 200 lekëshit.

“Operojmë në një treg të lirë, s’mund të ndërhyjmë për të caktuar çmimet”, tha Ibrahimaj. Kur u pyet nëse Qeveria mund të mendojë që të rishikojë taksat e vendosura mbi karburantet, ajo e hodhi poshtë duke thënë se “taksat nuk mund të ndryshohen sa herë që kanë luhatje tregjet”.

Ministrja parashikoi se luhatja është e përkohshme dhe shqiptarët do të duhet të presin deri në qershor për të parë uljen e çmimeve. Deri atëherë ka shumë të panjohura, por ajo që është e ditur sot është që shqiptarët e paguan një litër naftë po aq sa zviceranët.

Në Shqipëri, një litër naftë shkoi deri në 198 lek për litër në disa pika karburanti, ose rreth 1.6 euro. Në Zvicër, një litër naftë u shit me 1.61 euro. Pse ky krahasim me Zvicrën? Zvicra ka një sistem të ngjashëm taksimi dhe si shembull rrëzon edhe alibinë e qeverisë shqiptare, që thotë se çmimi i lartë i naftës në Shqipëri është se ka të përfshirë edhe taksën e qarkullimit.

Prej 1 janarit 2022, një litër naftë në Zvicër taksohet me 80 cent, ndërsa në Shqipëri taksimi aktualisht është në 105 lek për litër. Kjo do të thotë se për nga niveli taksat në Shqipëri janë të njëjta si në Zvicër. Dallimi i madh është se një zviceran paguhet rreth 7 mijë euro si pagë mesatare, ndërsa në Shqipëri paga mesatare llogaritet në rreth 500 mijë lek, ose 435 euro.

Pra, një zviceran mesatar e blen po aq shtrenjtë dhe po me aq taksa naftën sa një shqiptar mesatar, pa përmendur këtu faktin që Shqipëria është ndër vendet prodhuese të naftës në Europë dhe me fushën naftëmbajtëse më të madhe kontinentalë, atë të Patos-Marinzës. Po me rajonin? Shqipëria del me çmimin më të lartë edhe nëse krahasohet me vendet përreth, me përjashtim të Greqisë. Në Serbi, një litër naftë u shit me 1.5 euro, në Maqedoninë e Veriut 1.33 euro dhe Kosova 1.55 euro.

Baby Boo