Luan Hajra: Krejt Jugosllavia e ka kënduar në shqip këngën ‘Rroka Mandolinën’


Sot, në ditën e vdekjes së këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Luan Hajra, po risjellim intervistën e tij të dhënë në vitin 2020.

Arbër Selmani

‘Me muzikë kam fillu shumë herët, diku rreth 12-13 vjeçar, së pari nëpër dasma. Asokohe, në Mitrovicë ishte orkestra e Sali Currit, dhe kur ata e vërejtën që po këndoj mirë, më merrshin me vete kudo. Si fëmijë kam qenë i lazdruem, çpurdhak. Hajde me neve – ma bojshin, dhe kadale kështu nisa me këndu. Bakshishi ka qenë i vogël, shkojshim shpesh edhe pa pagesë. Unë jam i Mitrovicës, edhe andej, edhe këndej. Dy shpija i kemi të kallta andej, edhe nja dy hekterë tokë. Tash, aty afër urës, ka banesa, ku i kemi pasë shpijat’

Ngadalë, Luan Hajra e kupton se ky kapërcim prapa në jetën e tij ndoshta do të jetë ngushëllim e ndoshta pezmatim për mendjen e tij, por nuk përton t`ia lejojë vetes një mrekulli të tillë, kujtimin e momenteve të së kaluarës. Luan Hajrën e quanin edhe mbret të muzikës së mirëfilltë e qytetare në Kosovë, në një kohë tjetër, kur rendi i gjërave funksiononte ndryshe.

Sot Luani është një burrë simpatik e me rrudha njerëzore. E gjej në një kafene jo larg qendrës së qytetit në Prishtinë, aspak i mërzitur që një e dielë do të na shkojë duke gërmuar në thellësitë e jetës së tij për të kuptuar se kush ishte Luani dikur, kush është Luani sot. Si për shaka e kuptojmë të dytë, unë dhe ai, që prej tij prisnin gjithmonë një paraqitje luani. Kur shqiptarët donin ta takonin a përqafonin Luan Hajrën, dilte përpara një fytyrë e butë dhe lirike, jo me tipare luani. Ky është pra Luan Hajra, zëri lirik që për disa dekada mrekulloi veshin e gjithësisë shqiptare me krijimet e tij muzikore.

*

Luan Hajra u rrit pa baba, dhe besoni, atë e pa në vetëm pak raste e orë e momente të jetës së tij.

‘Baba, Arifi, iki në Shqipëri herët, në vitin 1955, si ballist. Ishte i burgosun. Babgjyshin mu ma kanë pasë pushkatu, baba nuk osht rahatu kurrë. Babës edhe vllaun ia patën pushkatu. Baba ishte patriot, ballist i Ballit Kombëtar. Unë e morra vesh këtë gjë më vonë, prej kushërinjve, diku rreth moshës 18 a 19 vjeç, sepse nana nuk donte që edhe na fëmijët me u bo të tillë. Jom rrit pa babë, prush. Me ikjen e babës, si familje kemi hjekë shumë prej UDB-së. Ata na vizitonin shpesh, ose duhej na me u paraqitë në ato vendet e tyre. Baba o kon i pa-rahatueshëm, u rrehke edhe me policët. Çdo javë ka qenë nëpër burgje, prej Prizreni e deri në Shqipëri. Baba ka hangër burgje të rënda, edhe me rrymë nëpër trup, se kanë mendu që është shpiun edhe ky, si shumë të tjerë. Më kujtohet që atë kohë një burrë që i jepke lajmet në Shqipëri i përngjajke babës tem, edhe nisi me u përhapë lajmi që baba i Luanit po jep lajme. Baba megjithatë ishte në të tjera gajle’ tregon Luan Hajra.

Këngëtarin Luan Hajra, dhe çdo njeri tjetër që ka shumë bagazh tregimesh, është mirë ta ngacmosh tek familja. Disa nuk do të flasin, të tjerët po, dhe të dyja perspektivat janë krejt të pranueshme e arsyeshme.

Luani flet me shumë pasion por edhe sytë sikur molisen e tkurren kur Luani, sot në moshën e shtyrë, flet për familjarët e tij, për nënën e tij Gjylsymin, për vëllezërit e tij, jo për motrat meqë nuk e kishte asnjë. Nga e tërë familja, veç Luani do të dilte si këngëtar, si një rreze e hareshme në mes të territ të kohërave kur Luani jetoi në Mitrovicë, e më pas edhe në Prishtinë. Me ardhjen në këtë të fundit, Luanit do t`i hapeshin horizontet e suksesit në karrierën prej këngëtari dhe ajo çka pasoi është vetëm një kapitull i shkruar bukur e mirë i librit të jetës së Luan Hajrës sonë.

Baby Boo