Kërkohet komitet për librat fyes ndaj shqiptarëve


Formimi i Komitetit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Greqisë për shqyrtimin e çështjeve historike, arkeologjike dhe arsimore si pjesë e marrëveshjes për emrin ka nxitur reagime në opinion. Profesori Avzi Mustafa konsideron se një komitet i tillë duhet të formohet urgjentisht edhe me Kosovën dhe Shqipërinë në mënyrë që të mënjanohen fyerjet ndaj shqiptarëve dhe përmbajtjet skandaloze rreth historisë shqiptare, percjell Fakte

Një komitet i tillë do të ishte mirë të bëhej edhe me Shqipërinë dhe Kosovën dhe një Komision i posaçëm do të ishte mirë që të formohet edhe në Republikën e Maqedonisë ku do të shqyrtohen të gjitha ato tekste në të cilat dominon gjuha e urrejtjes, ku nënçmohet një popull i cili bashkëjeton me një popull dhe ndan të mirën dhe të keqen dhe kjo do të ishte në dobi edhe të afrimit të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni. Këtu unë mendoj se rolin kryesor duhet ta mbajë ministria e Arsimit dhe nëpërmjet përfaqësuesve të ministrisë si të Shqipërisë po ashtu dhe të Kosovës do të jetë ai hapi i cili do t’i afroj që të bisedojnë, të bashkëpunojnë të vlerësojnë, të rivlerësojnë atë që mendohet se është e tepërt apo e mbivlerësuar- deklaroi profesori Avzi Mustafa.

Komiteti i përbashkët ndërdisiplinor mes palës maqedonase dhe asaj greke është pjesë e Marrëveshjes për emrin. Ky komitet i cili do të shqyrtojë çështjet historike, arkeologjike dhe arsimore do të përbëhet nga shtatë anëtarë nga Maqedonia dhe shtatë anëtar të palës greke. Anëtarët e palës Maqedonase janë zgjedhur në një mbledhje të mbyllur të Qeverisë, të njejtët janë ekspertë dhe profesorë të fushave të arsimit dhe historisë ndërsa sipas informacioneve të ALSAT vetëm njëri prej shtatë anëtarëve është shqiptar.

Ky trup duhet ti shqyrtojë në mënyrë objektive dhe të ju jep interpretim shkencor ngjarjeve historike bazuar në fakte. Komiteti do të shqyrtojë libra, atlase historike, udhëzime arsimore të cilat shfrytëzohen edhe në Maqedoni edhe në Greqi. Nëse konstaton shtrembërime shkencore, është e mundur që të bëjë revizionin e teksteve shkollore. Komiteti do të mblidhet së paku dy herë në vit, ndërsa raport do t’i dorëzoj një trupi tjetër i cili po ashtu duhet të formohet në përputhje me Marrëveshjen, e cila do të quhet Këshilli për bashkëpunim në nivel të lartë me të cilin do të kryesojnë kryeministrat e të dyja vendeve.

Për vite me radhë ALSAT ka raportuar mbi tekste të shumta shkollore në të cilat ka pasur përmbajtje fyese për shqiptarët, ku ndër të tjera shqiptarët janë përshkruar si ardhacakë dhe si popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Përgjegjësi nga institucionet kompetente nuk ka pasur, ndërkaq këta tekste vazhdojnë të jenë pjesë e plan programeve mësimore si dhe të mësohen nga nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas./AlsatM