Kërkesa emocionuese e Kadri Veselit nga Haga: Varroseni babën edhe pa mua


Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili gjendet në Hagë për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, u ka dhënë leje familjarëve të tij, të vazhdojnë me procedurat e varrimit të babait të tyre.

Kjo edhe nëse ai nuk arrin në kohë që të jetë prezentë në këtë ceremoni mortore. Kështu kanë thënë familjarët e Kadri Veselit për Klan Kosovën, ndërsa bëjnë përgatitjet për ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të babait të tyre Fazliut, i cili ndërroi jetë mëngjesin e hershëm të kësaj të mërkure.

Veseli e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fazli Veseli ishte kreu i një familje patriotike shqiptare. Ishte 3 gushti i vitit 1993 kur forcat serbe kishin hyrë me forcë në shtëpinë e Fazliut për bastisje.

Atëbotë, në shtëpi kishin qenë Fazliu me dy djemtë, Ismeti dhe Veseli. Të tre këta ishin arrestuar nga forcat serbe. Siç raportohej atëherë, policia serbe po e kërkonte Kadri Veselin, i cili nuk gjendej në shtëpi.
Në prani të anëtarëve të familjes, policët serbë atëbotë kishin rrahur Fazli Veselin dhe dy djemtë, Ismetin dhe Veselin. Arrestimi atëbotë kishte ndodhur befasishëm, andaj një kohë të gjatë nuk dihej asgjë për fatin e tyre.

Baby Boo