Katastrofa e lejuar ekologjike! Vazhdon rënia e madhe e nivelit të ujit në Liqenin e Dibrës


Nga një përllogaritje e thjeshtë del se ELEM-i “shkel” prodhimin e energjisë elektrike në 30 për qind mbi planin në periudhën e verës dhe nuk i përdor në mënyrë racionale burimet e ujit. Kjo, sepse hyrja e ujit në liqene është vetëm 35 për qind e asaj që nevojitet për të prodhuar hidroenergji. Dhe pas më pak se dy muajsh të asaj që quajmë “thatësirë”, ELEM-i blen energji elektrike me një çmim prej 53 eurosh për megavat orë, ose 23 për qind më të shtrenjtë se çmimi mesatar me të cilin e ka shitur energjinë! Me një fjalë, ELEM-i gjatë verës shet rrymë me nga 43.5 euro, ndërsa në nëntor – blen për 53 euro për megavat në orë!

Pas reagimeve të dibranëve, Komunës dhe shoqatave ekologjike për, siç quhet tashmë – “masakra në Liqenin e Dibrës”, Inspektorati shtetëror i ekologjisë ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm në punën e hidrocentralit “Spile”, hidrocentral që funksionon në kuadër të ndërmarrjes shtetërore ELEM. Megjithatë, ndryshe nga ajo që shihet në Liqen, konkretisht rënia e madhe e ujit, Inspektorati ka konstatuar se hidrocentrali e respekton kuotën ligjorë të nivelit të ujit dhe se, prodhimi i energjisë bëhet konform leje për punë të këtij hidrocentrali.

“Pardje ka pasur kontroll. Unë këtu kam një procesverbal nga inspektori që ka vërtetuar se kuota për momentin të nivelit të liqenit është mbi minimalen, e cila është definuar me lejen e tyre për shfrytëzimin e ujit që e ka dhënë Ministria e Ekologjisë. Kështu që ne, në këtë moment – nuk kemi mundësi të procedojmë më ndryshe, sepse leja kërkon 560 mnv të jetë maksimalja. Domethënë është bërë kontroll, e kam procesverbalin që thotë se gjendja momentale është se kuota e liqenit nuk është nën kuotën minimale që është vërtetuar me lejen”, thotë përgjegjësja e Inspektoratit, Ana Petrovska.

Tani, vijon ajo, në çdo kohë Qeveria ka mundësi si herën e kaluar ti ndalojnë punimet kur në terren kemi reagime dhe alarme nga autoritetet lokale, por edhe nga qytetarët, ndërsa ne si inspektorat mundemi vetëm të vërtetojmë nëse punohet apo nuk punohet sipas lejes. “Në këtë moment ne nuk vërtetojmë se niveli minimal i liqenit është rrezikuar. Domethënë, për dy metra kuota është mbi minimalen që është vërtetuar sipas lejes. Ne nuk konstatojmë nëse ajo është mirë apo jo, ministria iu ka dhënë mundësi të shkojnë për dy metra më poshtë”, thotë Petrovska. Se ka rënë niveli i ujit në liqen, e konfirmon edhe ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini.

“Inspektimin e kryen Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor. Gjithsesi, ju njoftoj që me kërkese të ministrisë, është kryer inspektim i jashtëzakonshëm me datë 30.03.2021 dhe raportohet që ka rënie të nivelit të ujit, por niveli është konform kushteve të përcaktuara në leje (kuotës minimale të përcaktuar në leje)”, thotë në përgjigjen me shkrim ministri Nuredini. Problemi kryesor, siç bëjnë të ditur zyrtarët, është marrëveshja për punë e hidrocentralit të Spilesë, e cila si prioritet të parë e ka prodhimin e energjisë elektrike.

BIZNESI ME ENERGJINË DHE E VËRTETA E RËNIES SË NIVELIT TË UJIT
Ndryshe nga përgjigjet e zyrtarëve se niveli i ujit është në pajtim me lejen për punë, e vërteta duket të jetë krejtësisht ndryshe. Kompania shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ELEM), pjesë e të cilës është edhe hidrocentrali “Spile” në Dibër, në periudhën nga qershori deri në shtator të 2020-ës ka shitur mbi 140.000 megavat energji elektrike dhe ka grumbulluar 6.16 milionë euro nga shitja. Që do të thotë se ata, gjatë periudhës së verës, kanë shitur me një çmim mesatar prej 43.6 euro për megavat orë.

Dhe dy muaj më vonë, në nëntor, siç shpjegohet nga ELEM-i, citojmë “për shkak të thatësirës” kompania kishte prodhim të ulët dhe u desh të blinte diçka më shumë se 60.000 megavat orë për të cilat ata paguanin mbi 3 milionë euro, gjegjësisht ELEM-i ka paguar një çmim mesatar prej 53 euro për megavat orë energji elektrike, apo gati 10 euro ose 23 për qind më e shtrenjtë se çmimi me të cilin ata kanë shitur. Por kjo nuk është më e keqja, është më e frikshme që rezervuarët e mëdhenj të ujit janë “bosh”, respektivisht niveli i ujit ishte aq i ulët sa në nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria kishte ardhur në një situatë për të marrë një vendim për të ndaluar përdorimin e tyre.

Nga kjo përllogaritje del se ELEM-i “shkel” prodhimin e hidrocentralit në 30 për qind mbi planin në periudhën e verës (që i bie të tharë) dhe nuk i përdor në mënyrë racionale burimet e ujit. Kjo, sepse hyrja e ujit në liqene është vetëm 35 për qind e asaj që nevojitet për të prodhuar hidroenergji. Dhe pas më pak se dy muajsh të asaj që quajmë “thatësirë” dhe blini energji elektrike me një çmim prej 53 eurosh për megavat orë, pra 23 për qind më të shtrenjtë se çmimi mesatar me të cilin keni shitur! Me një fjalë, ELEM-i gjatë verës shet rrymë me nga 43.5 euro, ndërsa në nëntor – blen për 53 euro për megavat në orë!

SI LINDI THATËSIRA?
Të dhënat zyrtare tregojnë se menaxhimi i ELEM-it në periudhën e verës “ka shkelur fortë” hidrocentralet në kurriz të termobllokëve të REK Manastir (në të cilin në gusht vitin e kaluar ndodhi një aksident në minierën “Suvodol”). Nga fillimi i qershorit deri në fund të shtatorit vjet, hidrocentralet kishin prodhuar 432.144 megavat orë energji elektrike, që është 182.518 megavat orë, ose 73 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2019. Edhe krahasuar me prodhimin e planifikuar të hidrocentralit për këtë periudhë, realizimi është më i lartë për 100,000 megavat orë, pra 30 për qind më shumë se sa ishte planifikuar.

Tani vjen shumë e rëndësishmja: prurjet e ujit në liqene – një parametër shumë i rëndësishëm mbi bazën e të cilit është planifikuar prodhimi në hidrocentrale. Në periudhën nga fillimi i qershorit deri në fund të shtatorit vitin e kaluar, në liqenet nga të cilat hidrocentralet e ELEM-it prodhojnë energji elektrike, buroi uji nga i cili mund të prodhohen 153.532 megavat orë energji elektrike. Në të njëjtën periudhë, ELEM-i konsumoi ujë për të prodhuar 432.144 megavat orë energji elektrike. Pothuajse tre herë më shumë ujë i konsumuar sesa ai që derdhej në liqene.

VAZHDOJNË REAGIMET
Reagimet dhe shqetësimet e dibranëve vazhdojnë, ndërsa thonë se gjendjen e këtillë me nivelin e pakët të ujit, nuk e mbajnë mend as banorët më të moshuar. Rënia kaq e madhe e nivelit të ujit në liqe, siç thonë banorët, por edhe shoqatat joqeveritare, i ka kaluar të gjitha përmasat e lejuara me ligj, ndërsa pasojat do të jenë të mëdha për jetën në liqen, për florën dhe faunën. Sidomos shqetësuese është niveli kaq i madh këtë muaj – në mars, kur rritja e ujit duhej të ishte katërfish më e madhe sesa është tani e një vit me radhë. Akumulacioni i liqenit është përgjysmuar. Rënia e nivelit të liqenit është nën atë ligjore, ndërsa pjesa e duke filluar nga Ura e Melniçanit e deri tek Ura e Kosovrasit, pothuajse është pa ujë. I ngjan një përroske të vogël.

Aktivisti i shoqërisë civile, Gazmend Cami, për gazetën KOHA tha se ulja e nivelit të liqenit të Dibrës është një dukuri që po përsëritet shpesh dhe kjo vjen nga konsumi i ujit të akumuluar për prodhimin e energjisë elektrike. “Në sezonet me reshje të pakta dhe me prurje minimale, duhet të bëhet harmonizim i lëshimit të ujit për prodhimin e energjisë elektrike gjithmonë duke ruajtur një nivel që mos të ketë ndikim negativ në biodiversitetit. Në rastet kur ulje drastike të liqenit, janë vërejtur efektet negative meqë një numër i madh i gjallesave të ekosistemit të formuar, po mbeten jashtë ujit dhe ato shkatërrohen”, thotë Cami.

Kryetari i Komunës, Hekuran Duka tha ditë më parë se pushteti lokal disa herë ka kërkuar nga institucionet kompetente të tregojnë shkaqet e nivelit të ulët të ujit. “Si komunë i jemi drejtuar zyrtarisht drejtorisë së hidrocentralit ‘Spile’ për të na dhënë raport zyrtar për këtë gjendje. Kërkesës sonë i janë përgjigjur dhe në të thuhet se, ‘shkaku kryesor i uljes së nivelit të ujit në liqen, janë reshjet e pakta vitet e fundit dhe shterja e burimeve’. Ata me një raport na faktuan se hidrocentrali ‘Spile’ e respekton rregulloren në lidhje me futjen ose jo në punë të turbinave në varshmëri të nivelit të ujit të liqenit’”, shton kryetari Duka. Megjithatë, dibranët theksojnë se edhe me sy të lirë shihet se, akumulimi për prodhimin e energjisë është më i madh sesa prurjet e ujërave në liqen.

Baby Boo