Histori e dhimbshme/E shitën 4 herë, por akoma nuk gjen paqe. Do mbyste me sëpatë bashkëjetuesin e fundit dhe…(Foto)

Jeta e Vjollca Shkëmbit, vajzës nga fshati Pojan, nuk gjen paqe. Në vitin 2015 ajo tronditi me rrëfimin e saj se ishte shitur katër herë në Maqedoni dhe ishte dhunuar në të katërta martesat e saj.

Shkëmbi, e cila është edhe nënë, denoncoi në atë kohë ata që e përdorën, teksa bëri rrëfimin rrëqethës për jetën e saj të vështirë mes dhunës dhe varfërisë. Mirëpo, duket se jeta e Vjollca Shkëmbit nuk gjen paqe. Në maj të vitit 2017, Vjollca Shkëmbi arrestohet nga Policia, pasi denoncohet nga bashkëjetuesi i ri për vrasje të mbetur në tentativë. Ngjarja ndodhi në fshatin Sheqeras të Maliqit, pas një konflikti për motive të dobëta mes çiftit.

Bashkëjetuesi i Vjollcës, Artur Japupi, ka denoncuar se ajo e ka goditur me sëpatë disa herë, edhe kur ishte pa ndjenja. Për këtë arsye, 28-vjeçarja doli ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare mbetur në tentativë”. Shkëmbi ishte e vetme në gjyq, asnjë familjar i saj nuk ishte i pranishëm.

Duket se edhe bashkëjetesa e saj e gjashtë nuk qe e suksesshme dhe u mbyll me të në pranga. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjithçka ka ndodhur në datën 5 maj të vitit 2017, në fshatin Sheqeras të Bashkisë së Maliqit. Sipas ishbashkëjetuesit, Artur Jaupi, ata ishin njohur gjatë muajve prill-maj në kohën kur Arturi shkonte në Pojan, vendin ku banonte Vjollca dhe shiste bimë medicinale.

Për rreth 1 muaj e pak, ata janë njohur, ku kanë dalë disa herë për kafe dhe kishin vendosur të bashkëjetonin. Gjatë periudhës së njohjes, Vjollca i kishte treguar atij se kishte një vajzë dhe në momentin që kishin vendosur të jetonin bashkë, e kishin diskutuar me familjarët e Arturit, të cilët kishin rënë dakord dhe kishin shkuar në Pojan, në shtëpinë e 27-vjeçares për të marrë vajzën. Sipas Artur Jaupit, aty ai kishte parë 2 fëmijët që Vjollca kishte pasur nga një martesë tjetër, një vajzë për të cilën kishte dijeni dhe një djalë 1 vjeç.

Për këtë të fundit, Vjollca dhe familjarët e saj i kishin thënë se ishte fëmija e motrës së saj. Nga kjo vizitë, ata kishin marrë me vete vetëm vajzën dhe pas kësaj, në shtëpi kishte pasur sherre të vazhdueshme, pasi mamaja e Artur Jaupit ishte ankuar për sjelljen e nuses, ndërsa kishte vënë në dukje edhe faktin se ishin duke i ushqyer edhe vajzën. Gjatë debateve, Vjollca kishte kërkuar që të largohej për në shtëpinë e saj, ndërsa një ditë më pas kishte ndërruar mendje dhe nuk ishte larguar.

Nga ana tjetër, Artur Jaupi e ka marrë vesh për ekzistencën e djalit të Vjollcës, pasi kishte shkuar në gjendje civile, për të pyetur në lidhje me disa letra që më herët bashkëjetuesja e tij i kishte thënë se i kishte bërë gati. Aty ka marrë vesh se djali 1-vjeçar ishte i saj dhe disa kohë më parë punonjësit socialë kishin shkuar për t’ia marrë, pasi Vjollca Shkëmbi ishte larguar nga shtëpia.

Pas debateve që nisën për një telefon, në datën 5 maj të vitit të shkuar, debati ka degjeneruar në dhunë, ndërsa Vjollca ka goditur disa herë me sëpatë Artur Jaupin, ndërsa kur ka shkuar në spital, janë vënë re edhe hematoma të tjera, të cilat, sipas 45- vjeçarit, janë shkaktuar, pasi Vjollca ka vazhduar ta godasë, edhe kur ai kishte rënë pa ndjenja, sepse kishte menduar se kishte vdekur. Vetë Vjollca Shkëmbi ka rezerva për dëshminë e ish-bashkë- jetuesit në Prokurori. Ajo foli në sallën e gjyqit, duke i kërkuar Jaupit të tregojë “të vërtetën”, pa e specifikuar se cila është ajo.

“Dua të them diçka për Artur Jaupin. I kërkoj që në dëshminë e tij para gjykatës, të tregojë të gjithë të vërtetën. Këtu ai të thotë vetëm të vërtetën e të mos shtojë asgjë. Le të mos nxjerrë justifikime për telefonin…”. Më tej, Vjollca u shpreh për familjarët e saj, të cilët nuk kishin shkuar ta takonin, pasi nuk kishin mundësi ekonomike. “Familjarët e mi nuk vijnë të më takojnë, pasi nuk kanë mundësi ekonomike. Babai im është i shtrirë në krevat, i sëmurë dhe nuk ka mundësi të ngrihet, ndërsa mami kujdeset për fëmijët e mi dhe nuk ka ku t’i lërë”, tha ajo. Seanca e djeshme ishte edhe seanca paraprake dhe më pas do të vijojë gjyqi