Gjendja kritike e Gjykatave në Maqedoni! Ngritet alarmi


Gazetar: Adrian Kerimi

Letra e ambasadores amerikane Angela Aggeler të cilën Alsat ditë më parë e publikoi ekskluzivisht, ka dridhur themelet e institucioneve gjyqësore dhe të Qeverisë. Ndonëse askush nuk merr përgjegjësi për shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, të gjithë pajtohen me konstatimet e letrës shqetësuese. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se fajtor për gjendjen në gjykata është opozita.

A pajtoheni me konstatimet e ambasadores amerikane?

“Po…Kemi Kod të ri penal, Ligj të ri për akademinë për gjykatës dhe prokuror, Ligj të ri për sistemimin e gjykatësve por shumica prej tyre janë bllokuar në Kuvend dhe kjo është pyetje për opozitën, jo për mua”, u përgjigj Dimitar Kovaçevski, Kryeminisër.

Presidenti Stevo Pendarovski tha se ambasadorja amerikane ka përshkruar gjendjen faktike në gjyqësor.

“Mund të flas në bazë të asaj që kam lexuar në media dhe mendoj se bëhet fjalë për përshkrim të gjendjes dhe kritikat ndaj gjendjeve në gjyqësor, përkatësisht në kuadër të asaj që ambasadorja amerikane flet tash e disa muaj”, tha Stevo Pendarovski, President.

VMRO-DPMNE-ja akuzon pushtetin se ka ngulfatur gjyqësor me kuadro nëpër gjykata dhe prokurori.

“Të gjitha kuadrot udhëheqëse nëpër gjykata dhe prokurori janë zgjedhur nga LSDM-ja. Nga shtabet partiake drejtpërdrejt në Këshillin Gjyqësor, duke caktuar prokurorët për krim të organizuar madje edhe duke urdhëruar se kush mund të përfundon Akademinë për gjykatës dhe prokuror. Krimi dhe korrupsioni në Maqedoni ka arritur në nivelin më të lartë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Gjykata e Apelit, ndonëse letrën e Aggeler e ka pranuar më 11 prill, vetëm pas publikimit në Alsat caktoi mbledhje në të cilën u diskutua gjendja aktuale dhe u konstatua nevoja për veprime efikase.

“Për momentin Gjykata e Apelit punon me numër më të vogël të gjykatësve, respektivisht 28 gjykatës nga 52 të paraparë. Në departamentin për çështje penale janë të sistemuar gjashtë gjykatës. Në seancën e mbajtur konstatuam se është e nevojshme të veprohet me efikasitet dhe përditësim në të gjitha lëndët, posaçërisht lëndët me interes të lart publik”, njoftojnë nga Gjykata e Apelit.

Në letrën e ambasadores Aggeler drejtuar institucioneve gjyqësore dhe të Qeverisë potencohet shqetësimi i saj për kthimin e lëndëve nga profile të larta nga Gjykata e Apelit në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim. Ajo gjithashtu ka potencuar frikën se një veprim i tillë është bërë praktikë dhe se buron nga paaftësia e gjykatësve të Apelit për të vepruar në kohë. Aggeler ka theksuar edhe përpjekjet e SHBA-ve për reforma në sundimin e ligjit dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar institucionet në tejkalimin e kësaj gjendjeje. Letra e Aggeler u diskutua edhe në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor ku anëtarët akuzuan kryetaren e këtij trupi se për dy javë ka fshehur letrën, ndërkohë Vesna Dameva tha se letra nuk është fshehur dhe ajo nuk është arsyeja pse ajo po shkarkohet nga kjo pozitë, por se pushteti përmes presionit me çdo kusht po dëshiron ta gradon gjykatësin Enver Bexheti me pozitë në Gjykatën Supreme. Jo zyrtarisht Dameva kishte kërkuar shkarkimin e tij nga pozita e gjykatësit. /Alsat.mk

Baby Boo