Feta Alimi: “Çfarë janë 8 muaj në krahasim me dënimin që po vuaj?, por qoftë e hajrit!” (VIDEO)


Abdylfeta Alimi, i dënuar në rastin 27 prilli në Kuvend, është gjetur në listën e personave të falur nga presidenti Stevo Pendarovski. Alimi është falur pjesërisht, respektivisht 8 muaj, nga gjithsej 7 vite burg, dënim të cilin e vuan nga marsi i vitit 2019.

TV21 arriti të marrë një qëndrim nga Alimi, duke e pyetur se si e vlerëson vendimin e Pendarovskit, i cili ia fali më pak se një vit. I dëshpëruar Alimi thotë se janë shumë pak, duke pretenduar se është i dënuar padrejtësisht, por thotë se çdo falje është e mirëseardhur.

“Çfarë janë 8 muaj në krahasim me dënimin që po vuaj? Por sidoqoftë, qoftë e hajrit”, tha Alimi.
Kryetari i ASh-së Ziadin Sela i cili dëshmon se Abdulfeta Alimi i ka shpëtuar jetën gjatë ditës së përgjakshme të 27 prillit, nuk deshi të prononcohet për TV21. Ai ka shkruar një status në profilin e tij në facebook, ku thotë se ai duhet të jetë i lirë dhe jo i falur!

“U gëzova pa masë Feta, pa çka se tetë muaj falje sjanë asgjë në krahasim me shtatë vite padrejtësisht i dënuar. Ti duhet të jesh i lirë dhe jo i falur miku im. Falë teje jam e falë të qofsha!”, u hpreh Sela.
Presidenti Stevo Pendarovski ka marrë vendim që të fal persona të dënuar. Lista e të falurve është publikuar dje në Gazetën Zyrtare. Personi Aleksandar Petrovski është liruar plotësisht nga vuajtja e mëtutjeshëm e dënimit me burg. Nga vuajtja e dënimit me burg janë liruar pjesërisht, Nexhmedin Matoshi (4 muaj), Dimitar Mishkov (3 muaj) dhe Xhafer Nebija (5 muaj).

Nga kabineti i Presidentit thonë se faljet janë bërë sipas procedurës ligjore dhe të gjithë personat e falur i plotësojnë kushtet për një gjë të tillë.
Ndryshe në dhjetor të vitit të kaluar në kabinetin e Presidentin kishte arritur një listë me 48 emra për falje të dënimit, mes të cilëve ishin Boban Iliq, Sead Koçan dhe Aleksandar Vasilevski – Ninxha. Pas reagimeve të shumta në opinion Pendarovski pati deklaruar se lista është kthyer prapa për revidim, ndërsa Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq njoftoi se pas konsultimeve me Drejtorin për Ekzekutim të Sanksioneve për fundvit nuk do të ketë falje grupore, me këtë lista do të anulohet plotësisht.

Baby Boo