Ekspertët: Me sistemin e tanishëm zgjedhor qytetarët zgjedhin vetëm 20 deputetë!

Me modelin aktual zgjedhor qytetarët e Maqedonisë kanë zgjedhur vetëm 20 deputet nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi, ndërsa 100 të tjerët i kanë zgjedhur vetë partitë dhe liderët partiak. Kështu thotë eksperti Robert Nesimi gjatë emisionin VOX që u transmetua mbrëmë në televizionin Shenja, ku ekspertët e proceseve zgjedhore analizuan modelin aktual dhe propozimet për modelet e reja zgjedhore.

Baby Boo

Nesimi thotë se për të sjellë cilësi në Kuvend duhet të zbatohet modeli me lista të hapura, pa marrë parasysh numrin e njësive, ndërsa për të pasur pluralizëm politik në Kuvend, ai thotë se Maqedonia duhet të jetë një njësi zgjedhore. Kështu sipas tij nuk do të digjen dhjetëra mijëra vota të qytetarëve, ndërsa partive të vogla do t’ju mundësohet të hyjnë në Kuvend pa qenë të kushtëzuara nga koalicionet më të mëdha.

Edhe nga Qendra për liri, Civil, vlerësojnë se modeli më i përshtatshëm për të pasur demokratizim në procesin zgjedhor, është që Maqedonia të jetë vetëm një njësi zgjedhore si dhe listat të jenë të hapura. Në intervistën për emisionin VOX, kryetari i Qendrës për liri Civil, Xhabir Deralla, sqaron se përse është më i përshtatshëm një model i tillë.

“Sipas CIVIL-it, kemi vërtetuar se më mirë për Maqedoninë është që ajo të jetë një njësi zgjedhore në të cilën do të votojnë madje edhe qytetarët dhe qytetaret e vendit që janë jashtë vendit. Ky është një sistem i cili do t’u jep mundësi edhe bashkësive më të vogla etnike,  partive më të vogla politike dhe të tjerë, që interesat t’u vijnë në shprehje. Ju keni situatë ku partitë e vogla politike që  i përfaqësojnë  bashkësitë më të vogla etnike ose interesa dhe ide të tjera, koncepte, strategji  për shoqërinë, thjesht nuk mund të vijnë në shprehje në proceset zgjedhore, pasi ai është grup, është brutal dhe i promovon vetëm më të mëdhenjtë,  më të fuqishmit dhe ata që kanë më shumë para, gjegjësisht ata që janë më të ashpër në një garë zgjedhore”, ka deklaruar Xhabir Deralla, kryetar i CIVIL.

Analisti Robert Nesimi thotë se edhe modeli me tre njësi zgjedhore është më i mirë se ai që aktualisht është në fuqi, por me tre njësi sipas Nesimit përsëri do të prishet baraspesha mes numrit të votuesve në secilën njësi.