Greqi, Demokracia e Re nuk mbështet marrëveshjen


Marrëveshja për emrin do të vlejë vetëm pasi Shkupi t’i përfundojë ndryshimet kushtetuese, thekson zv/ministri i jashtëm grek, Janis Amanatidis. Ai shton se me marrëveshjen për emrin përfundon irredentizmi maqedonas.

Pas ratifikimit të marrëveshjes vijon letra e vendit tonë në NATO dhe Këshillin Evropian, rezultati pozitiv i referendumit dhe ndryshimet kushtetuese me një horizont kohor në dhjetor. Nëse kjo nuk bëhet, marrëveshja nuk është e vlefshme – deklaroi Janis Amanatidis, zv/ministër i Jashtëm i Greqisë.

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos akuzon dy partitë më të mëdha opozitare në Athinë e Shkup, Demokracinë e Re dhe VMRO DPMNE-në për papërgjegjshmëri.

Demokracia e Re dhe VMRO-ja jo vetëm që injorojnë përgjegjësinë e tyre historike për përjetësimin e problemit, por sot, nën hegjemoninë e grupeve të ekstremit të djathtë brenda vetes, ata po përpiqen përsëri të luajnë letrën e tyre të fundit. Letrën e ndarjes. Ndarjes mes patriotëve dhe tradhtarëve të supozuar – pohoi Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.

Nga ana tjetër zëdhënësja e “Demokracisë së Re”, Maria Spyraki tha se marrëveshja është e keqe dhe me të shkelet sensitiviteti i qytetarëve grekë. Ajo përsëriti qëndrimin se partia e saj nuk do ta votojë marrëveshjen.

Qeveria ka bërë diçka që asnjë qeveri nuk e ka bërë në të kaluarën, ka pranuar një marrëveshje që e njeh kombësinë dhe gjuhën maqedonase. Demokracia e Re nuk do ta ratifikojë marrëveshjen që qeveria e Syrizas do ta sjellë në Kuvend – tha Maria Spyraki, “Demokracia e Re”.

Por për liderin e partisë opozitare “Potami”, Stavros Teodorakis marrëveshja është e dobishme. Ai tha se duke e ndihmuar fqiun të bashkohet me Evropën, do të pengohet zgjerimi i ndikimit turk.

Marrëveshja ka mangësi, këtë e kam theksuar nga momenti i parë, por veçanërisht në këtë kohë është marrëveshje e dobishme. Duhet t’i mbyllim frontet e vogla në lindje. Turqit po i modernizojnë aeroportet në Shkup dhe Ohër. Kjo është marrëveshje biznesi. Por ka edhe qëllim ushtarak; të fitojnë bazë ajrore në veri prej nesh. Kjo është aspirata e tyre e vjetër. A do t’ia lejojmë? tha Stavros Teodorakis, “Potami”.

Ndërkohë partia e koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur e cila kundërshton marrëveshjen, e le të hapur mundësinë që ta braktisë Qeverinë pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin grek, me ç’rast në Greqi do të kishte zgjedhje të reja./ALSAT/

Baby Boo