Dosja: Polici fshehu dhunën ndaj Xhisiela Malokut, djali i deputetit u ndihmua


Ekspertiza mjekoligjore i ka konfirmuar prokurorisë se ndaj Xhisiela Malokut është ushtruar dhunë, me një dëmtim që i ka humbur aftësinë e përkohshme për punë deri në 9 ditë.

Në dy ditët e hetimit nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) janë konstatuar një sërë shkeljesh në trajtimin e padisë së bërë nga Xhisiela Maloku e cila ishte paraqitur për të bërë kallëzim ndaj Rexhep Rrahjës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rrahja.

Kallëzimi dyshohet se ishte për dhunë, përdhunim dhe rrëmbim. Por, pavarësisht ngjarjes së rëndë, vajzës nuk i është ofruar menjëherë urdhër-mbrojtjeje, ndaj për këtë arsye edhe oficeri Gentian Çitozi, i cili i mori çështjen, u pezullua nga detyra pas ankimit të vajzës dhe më pas më datë 25 ndaj tij është regjistruar procedim penal për shpërdorim detyre. Por, oficeri Çitozi po ashtu, dyshohet se gjatë marrjes së kallëzimit ka tentuar të lehtësojë pozitat e të dyshuarit Rexhep Rrahja duke mos evidentuar dhunën fizike. Edhe në bazë të asaj që oficeri ka evidentuar, ai nuk ka ushtruar të drejtën e ndalimit me iniciativë. Megjithëse, sipas deklarimeve të saj, Xhisiela Maloku më pas ka kërkuar që të tërheqë kallëzimin, në Prokurorinë e Krujës ka shkuar materiali ku vepra penale ishte zbutur në kërcënim me mesazhe telefonike.

Policia: Prokuroria nuk kërkoi arrestimin e Rexhep Rrajës

Policia e Shtetit deklaroi dje se është pezulluar oficeri i policisë Gentian Çitozi, i cili nuk ka marrë denoncimin e vajzës në prani të Rexhep Rrahjas. Në deklaratë thuhet se Policia ka vazhduar hetimet pavarësisht tërheqjes së kallëzim nga ana e vajzës, madje është referuar edhe në prokurori si rast. “Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar sipas ligjit sepse ka qenë prezentë edhe Rexhep Rraja dhe oficeri është pezulluar. Më pas është marrë kallëzimi i vajzës. Pavarësisht kërkesës së shtetases që është tërhequr nga kallëzimi, policia ka vazhduar me çështjen. Çdo masë e ndalimit nuk është kompetencë e policisë. Policia nuk e ka ndaluar hetimin, por e ka referuar atë në prokurori”, tha Policia e Shtetit.

SHÇBA: Deklaratat e Nuhut, të pabaza

Drejtorja e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Anila Trimi, ka përgënjeshtruar akuzat e ish-oficerit të policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, lidhur me pretendimet se është kërcënuar me jetë në zyrë brenda stacionit të policisë së Fushë-Krujës. Në një dalje për mediat, Trimi tha se pas verifikimeve ka rezultuar se personat e pretenduar nga Nuhu nuk kanë qenë të pranishëm në datën 21 korrik në ambientet e policisë por edhe ai vetë rezulton se ka shkuar në stacionin policor vetëm në datën 27 korrik 2018. Nga intervistat dhe dokumentet si dhe shqyrtimi i pamjeve filmike në dispozicion, nuk rezulton që personat e përmendur në intervistë, si kërcënues të tij, të kenë qenë prezent në ambientet e Stacionit të Policisë së Shtetit në fushe Krujë, as në këtë datë dhe as në ndonjë datë tjetër të mëvonshme.

Si u tërhoq denoncimi. Psikologia e vajzës: Polici më thirri në mbrëmje

Anjeza Kallaku është psikologia që u telefonua në orën 10 të natës nga një oficer policie i Fushë-Krujës, që ajo të asistonte në tërheqjen e një padie dhune nga 25-vjeçarja me inicialet Xh.M. “Gentian Çitozi më ka marrë në orën dhjetë e çerek të natës. Më tha që kishte një rast dhune dhe më pyeti a mund të vija për një shtetase. I thashë që isha me pushime verore, por m’u lut që të vija sepse nuk kishin mundësi që të gjenin një psikologe tjetër. Jam shoqëruar në rajon me babanë tim. Në komisariat ishte Gentian Çitozi dhe një zotëri që po përfundonte dëshminë e tij. Nuk e njihja se kush ishte, më pas mora vesh që ishte ish i dashuri i vajzës. Vajza erdhi më pas”, tregon psikologia. Psikologia thotë se nuk ka informacion se përse vajza u tërhoq nga denoncimi.

Baby Boo