CIA zbardh të vërtetën për thyerjen e embargos ndaj Millosheviç, ja si qeveria Berisha i jepte 600 ton naftë në ditë, të përfshirë disa zyrtarë të korruptuar


Ideja e hedhur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve ka shkaktuar debat jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Qeveria “Rama” ka preferuar të jetë e distancuar, por më aktive ka qenë opozita, e konkretisht Berisha dhe disa përfaqësues të LSI. Të martën Berisha sulmoi sërish Thaçin, ndërsa sqaroi të vërtetën e thyerjes së embargos për Jugosllavinë. OKB vendosi embargo ndaj Millosheviçit në atë kohë, por disa shtete të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, e thyen këtë vendim. Berisha e pranoi se ka thyer embargon, por deklaroi se nafta shkoi për kosovarët. Mirëpo amerikanët e kanë hedhur poshtë një pretendim të tillë. Gazeta ka siguruar një dokument të deklasifikuar nga CIA. Aty tregohet se çfarë realisht ka ndodhur më 1994-1995.

Sipas dokumentit të CIA, Shqipëria trafikonte deri në 600 ton naftë në ditë. Por ndryshe nga sa thoshte Berisha dy ditë më parë, për amerikanët qëllimi ishte përfitimi financiar dhe jo të ndihmohej Kosova. Dhe sipas tyre, pas trafikut të naftës fshiheshin zyrtarë të lartë shtetërorë të korruptuar. “Transportuesit shqiptarë po trafikojnë sipas llogaritjeve 400-600 ton naftë (2900-4400 fuçi) në ditë drejt Maqedonisë. Me gjithë shqetësimin e Tiranës për fatin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në jug të Jugosllavisë, Shqipëria nuk ka vullnetin të reduktojë trafikimin dhe ndalimin e fitimeve të tij të paligjshme. Shqiptarët janë të varfër, dhe fitimet e mëdha të trafikut të kontrabandës janë mjaft atraktive. Për më tepër qeveria merr taksa të larta nga paratë e kontrabandës së naftës dhe zyrtarët e korruptuar kanë fitime personale nga trafiku. Edhe nëse Tirana dëshironte një ndalim të trafikut, asaj i mungon personeli dhe burimet për ndalimin e tij”, thuhet në dokumentin e deklasifikuar nga CIA.

Akuzat ndaj Berishës

Berisha është akuzuar shpesh për lidhje me Sllobodan Millosheviç. Një ngjarje e mistershme është ajo e vrasjes së Remzi Hoxhës. Ata që kanë dijeni për ngjarjen janë shprehur se Hoxha kishte të dhëna për një takim të Berishës me Millosheviç. Nga ana tjetër, ngjarja më e rëndë është ajo e embargos së naftës. Vetë ish-Presidenti i Malit të zi, Momir Bullatoviç, ka deklaruar kohë më parë se bashkë me Berishën vendosën të thyenin embargon e OKB. “Unë shkova në Shqipëri dhe e luta Berishën t’i mbyllte sytë, të fillonte afera, të thyheshin sanksionet ndërkombëtare, të përfitonim para. Dhe e ngritëm sistemin. Shteti ka pasur përfitime të mëdha. Dhe këto përfitime janë të evidentuara. Unë i kam në arshivën time. Unë kisha nevojë për naftën, dhe jo vetëm për kujtime të bukura të përbashkëta. Zyrtarisht kjo ishte formuluar në mënyrën si vijon: I parashtrova që të hiqet “perdja e hekurt”, e cila gjatë gjithë kohës mbulonte tërë kufirin tonë. Duhej të zhvillohet bashkëpunimi ndërkufitar dhe t’i jepej mundësia njerëzve, që të takohen dhe të vizitojnë njëri-tjetrin. I kujtova që ka farefise të afërta, që nuk ishin parë për mbi gjysmë shekulli. Që të shkonte çdo gjë më thjeshtë, ishte e nevojshme që si njëra anë, ashtu dhe ana tjetër , të mbyllnin sytë gjatë zbatimit të rreptë të rregullave dhe që në tregtinë ndërkufitare të përfshihen edhe ato gjëra, që zakonisht nuk janë të përfshira”, tha ai. Sot.com.al

Baby Boo