Medalja e shtatë e Nora Gjakovës në kampionate evropiane


Xhudistja Nora Gjakova ka vazhduar të marr medalje në Kampionate Evropiane. Të premten në Montpellier të Francës, Nora fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.

Për medalje të bronztë, Nora e mposhti gjermanen Seija Ballhaus. Ndaj saj fitoi me Ippon në kohën shtesë. Lufta ishte shumë e fortë, por Nora kërkoi vazhdimisht hedhjen. Atë e realizoi në minutën e nëntë të luftës. Realizoi aksion të bukur për ta mbyllur me sukses ditën.

Nora në fakt deri në finale nuk ishte në ditën më të mirë të saj, por megjithatë vazhdoi të jetë në podiumin e Kampionateve Evropiane.

Si bartëse e dytë, në raundin e parë ishte e lirë. Në raundin e dytë e mposhti polaken Arleta Podolak. Podolak pësoi shpejtë tri dënime dhe kështu Nora avancoi. Në çerekfinale, xhudisten kosovare e mposhti gjermanja Pauline Starke. Ajo realizoi uazari në kohën shtesë.

Raundin e parë të repesazhit, Nora e kaloi pa luftë, pasi izraelitja Timna Nelson Levy nuk doli fare në tatami.

Për Norën është medalja e shtatë në Kampionate Evropiane. Ka një të artë, një të argjendtë dhe pesë të bronzta.

Për Kosovën është medalja e 21-të nga Kampionatet Evropiane për seniorë. Të tjera medalje synohen të shtunën kur në Montpellier të Francës garojnë Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka.

Në kategorinë deri 57 kg, të premten garoi edhe Flaka Loxha. Në luftën e parë ajo e mposhti bullgaren Ivelina Ilieva. Por në raundin e dytë pësoi nga serbja Marica Perishiq.

Dy medalje nga tri garuese është bilanci i Kosovës në ditën e parë të Evropianit. Në kampionatin kontinental po marrin pjesë 386 xhudistë nga 46 vende.

Baby Boo