Bërnabiq i falënderon serbët që reaguan dje: Kurti dhe Osmani po përpiqen të marrin pikë politike


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka reaguar pas vizitës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në veri të Kosovës. Ajo tha se serbët po përballen me faktin që “udhëheqësit politikë nga Prishtina janë duke u përpjekur të marrin pikë të lira politike, në vend që të merren me çështje të jetës dhe të ndihmojnë njerëzit sa më shumë që të munden”, raporton Tanjug.

Bërnabiq i falënderoi serbët nga Kosova të cilët reaguan dje për këtë vizitë. Ajo i thuri lavte atyre për “një reagim të matur, mbajtën gjakftohtësinë e tyre dhe treguan dinjitet”.

“Ata jetojnë në një atmosferë provokimesh të vazhdueshme”, i tha kryeministrja TV Pink. Ajo kujtoi deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk dërgoi armë dhe tanke në Kosovë, por vaksina dhe ilaçe. Bërnabiq përmendi vaksinat e ardhura ilegalisht në Kosovë në përpjekje për ta ‘dëshmuar’ solidaritetin e Serbisë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan dje minierën “Trepça” në veri, ndërsa u raportua se kjo vizitë u ndërpre pas një reagimi të serbëve lokalë. Këtë e mohuan nga partia e Kurtit, por më pas dolën pamje ku shihet se vizita atje u përcoll me shumë tensione.

Baby Boo