Banorët me shumë halle në shtëpitë e pleqve


Vitet e pleqërisë nuk po kërrusen gjithaq nga mosha sa nga vetmia dhe kostoja e papërballueshme në shtëpitë ku ata mundohen të zëvendësojnë ngrohtësinë e familjes dhe mungesën e fëmijëve, që janë tretur si shpend të trembur shtegtar diku larg vendlindjes

 

Shkup, 28 maj – Në Maqedoni janë 18 shtëpi që përkujdesen për pleqtë, prej tyre 15 janë në Shkup, ndërsa të tjerat janë në Manastir, në Prilep, në Kumanovë dhe në Negotinë. Qytetet tjera kanë mungesë të theksuar të shtëpive të pleqve, dhe kjo vie në shprehje sidomos kur është i pamjaftueshëm ose fare hiq kujdesi familjar. Në mesin e këtyre qyteteve bën pjesë edhe Struga, por edhe Dibra, të cilët kanë nevojë për shtëpi pleqësh.
Në të shumtën e rasteve është mungesa e pranisë së fëmijëve, të cilët janë larguar jashtë vendi, një ndër arsyet që e imponojnë domosdonë e shtëpive të pleqve.
Mirëpo është edhe problemi i kostos që nuk arrin të mbulohet me pensionet që marrin pleqtë .Çmimi që kanë vënë shtëpitë e pleqve në vend është prej 11.800 – 2500 denarë. Ndërkohë që vlera mesatare e pensionit sillet rreth 12.000 denarë.

Mjekja Monika Mikrovska flet për kushtet e shtëpisë që ajo udhëheq. “Kemi pleq të gjinisë mashkullore dhe janë diku 80 persona. Çmimi lëviz prej 60 euro ose 3.700 denarë, në muaj. Kemi motra medicinale, ofrojmë terapi. Moshat e treta vetë vijnë, por varësisht nga gjendja e pacientit edhe i detyrojnë “, thotë për gazetën “Koha”, dr. Monika Mikrovska, nga shtëpia e pleqve “Mirkovski” në Shkup.

Në shtëpinë e pleqëve “Elisaveta” u ofrohet ndihmë pleqve me probleme fizike por edhe psikike.

“Kemi 45 persona dhe gjithçka është e plotësuar dhe kushton 3400 denarë . Janë pleqë me probleme psikike dhe fizike”, tha Ivana Shutinovska nga mbrotja sociale e shtëpisë së pleqve “Elisaveta”, në Shkup.

Në Gazi Babë, të Shkupit, mbizotërojnë më shumë gra në shtëpinë e pleqve, të cilëve u ofrohet ndihmë.

“Çmimi i këtushëm është 2500 denarë për një muaj. Ofrojmë mbikëqyrje 24 orë dhe kemi tre përgjegjëse nga motrat medicinale, të cilat kujdesen për ushqim dhe për shërbime të tjera. Kjo kategori e njerëzve e drejtuar tek ne bëhet më shumë nga fëmijët e tyre, arsyet i dinë vetë ata dhe ne kemi më shumë gra”, tha Marina Mustakovska nga shtëpia e pleqëve “Ruski”, në Gazi Babë.

Xhemaledin Nexhipi, drejtor i shtëpisë së pleqve në Kumanovë thotë se edhe pse kostoja është e lartë në qendrën e tyre, të moshuarit megjithatë kanë interesim. Ai shton se kapaciteti në këtë shtëpi arrin mbi 100 persona, kurse pagesa bëhet ose nga buxheti privat i pleqve ose nga Qendra sociale.

“Ka pleq të interesuar dhe ne kemi kapacitet diku 160 persona. Numri i personave të pranishëm të moshës së tretë ndryshon varësisht nga kërkesa dhe tek ne janë më shumë gra. Kushtet janë relativisht të mira dhe kompensimi mujor arrin deri në 11.800 denarë. Ka pleq që vijnë vullnetarisht, disa me detyrim nga familjarët të cilët nuk i kanë kushtet e mira. Nga këto që i kemi, 30 persona janë nga qendra sociale të vendosur, te ne. Pra, personat përmes kësaj qendre sociale nuk paguajnë, por për këta ndihmon shteti, sepse nuk kanë pension dhe nuk kanë kushte ose nuk kanë bashkëfamiljar se kush të kujdeset, pra ne i pranojmë kërkesat e tyre dhe i vendosim në qendrën tonë. Ata që paguajnë privatisht, janë 120 persona. Në kemi kontratë bashkëpunimi me Spitalin e përgjithshëm, ku një herë në javë vjen një mjek dhe psikiatri. Kështu që kemi përkujdesje mjekësore “, thotë për gazetën “Koha”, Xhemaledin Nexhipi, drejtor i shtëpisë së pleqve. Sipas tij çmimi që është përcaktuar nga kjo qendër kundrejt pensioneve, është e lartë, prandaj dhe shumë të tjerë që kanë nevojë për shërbime, hezitojnë të sistemohen në këtë qendër. (koha.mk)

Baby Boo