Inside Story/ Drama, në mes të detit me anijen pa motor, rrëfimi: Disa pësuan infarkt


Esat Balla, kryetar i degës teknike të flotës detare, ndryshe nga vëllai dhe motra që kishin emigruar që në vitin 1991, ai kishte shpresuar se Shqipëria mund të bëhej.

Vendimin për tu larguar e mori në vitin 1997, kur shpërthyen depot e armëve. Dëshpërimi për situatën që po kalonte vendi ishte aq i madh, aq sa i ngjiti dy fëmijët e tij të mitur, 5 dhe 3 vjeç me bashkëshorten në një anije pa motor në një udhëtim drejt Italisë.

“Nuk dua ti kujtoj ato ngjarje se janë vërtet dramatike. Ne kemi ikur më 17 mars, 10 ditë para se të mbytej “Kateri i Radës”. Ikëm më një anije që quhej “Xhindi”, ishte e kantierit detarit, ishte pa motor. Unë e di se manovrat me anijet e rimorkuara janë shumë shumë të rrezikshme dhe bëhen pa ekuipazh dhe pa njerëz. Kriminelët e asaj kohe, njerëzit që veç parasë nuk shikonin asgjë tjetër e mbushën plot me njerëz dhe na gënjyen. Na thanë deri në Radë do të shkojmë kështu e më pas do tju çojmë me anije tjetër me motor. Kjo ishte arsyeja që vura në rrezik jetën e familjes sonë”, u shpreh ish kryetari i degës teknike të flotës detare Esat Balla.

E mbushur me 150 persona në bord, anijen e kapi stuhia në det dhe kapiteni e kishte të vështirë të manovronte. Fatmirësisht, falë aftësive të tij i çoi deri në afëris të Barit. Anija kishte marrë ujë dhe kishte filluar të mbytej, por janë shpëtuar nga forcat e ndihmës së shpejtë italiane.
“Disa personave u ra infrakt, i ndanë burrat sipër dhe gratë me fëmijët e vegjël i lanë poshtë, pa ujë, pa drita, pa ngrënë…kur zbrita poshtë fëmijët qanin, gratë ulërinin ishte një tmerr i vërtetë, që nuk ia uroj askujt. Nuk e besoj zotin por në ato momente jam lutur shumë”, tha Esat Balla.
Ky udhëtim dramatik do të ishte vetëm fillimi i një kalvari të gjatë vuajtjesh nëpër të cilat u sfiduan thuajse të gjithë emigrantët shqiptarë.
“Ishte shumë e vështrirë sepse ishim si puna e çifutëve në shkretëtirë. Ikëm nga atdheu, ishte një dhimbje shumë e madhe, por aty nuk na priste asnjë njeri”, u shpreh Esat Balla.
Ai e konsideron veten me fat, sepse së paku kishte motrën dhe vëllain, por duhet të niste një jetë nga e para.
“Emigrantët, brezi jonë i parë kanë asgjësuar veten e vet për ti krijuar një të ardhme fëmijëve të tyre. Kam shumë shokë e shoqe të mi, që kanë qenë inxhiniera në Shqipëri dhe vetëm për të siguruar familjen dhe për ti dhënë ushqim familjes që ditën e parë janë detyruar të lajnë shkallët, të bëjnë pastruesin, të bëjnë punët më të vështira dhe pa pasur kohë për veten e tyre që të bëjnë një kurs kualifikimi, një kurs gjuhe”, u shpreh Esati

Baby Boo