Fishekzjarret në klubin e natës lënë të paktën 16 të vdekur në Kamerun


Një tragjedi e rëndë ka goditur Kamerunin teksa te paktën 16 njerëz kanë gjetur vdekjen dje nga një zjarr shkatërrimtar në një klub nate

Tetë njerëz të tjerë mbetën të plagosur kur shpërthyen flakët në tarracën e klubit Liv’s në kryeqytetin Yaounde i shkaktuar nga fishekzjarret qe perdoreshin në vendndodhje, sipas deklaratës së qeverisë.

Zhvillimi vjen teksa në Kamerun kanë ardhur shumë turistë, si vend pritës i kompeticionit të futbollit Kupa Afrikane e Kombeve.

Zjarri ishte përhapur shpejt në ambjente të tjera, përfshi dhe bombolat e gazit të kuzhinës rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm.

Fillimisht stafi tha se zjarri ishte shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik.

Rreth 100 njerëz ishin mbledhur sot pranë morgut të spitalit ushtarak në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre, raporton rrjeti AFP.

“Nuk kam informacione, u zgjova sot në mëngjes dhe më thanë se djali im 38-vjeçar ka vdekur”, tha një grua që dha emrin e saj si Fidele.


Bija e saj Claude tha: “Unë po prisja që vëllai im dhe shokët e tij të ktheheshin dje por nuk erdhën. Në mëngjes mora disa telefonata ku më pyesnin nëse im vëlla ishte gjallë apo vdekur, kështu që erdha në morg dhe identifikova trupin e tij”.

Një roje sigurie në vendngjarje tha se “gjithçka ndodhi shumë shpejt” dhe se “ka shumë viktima”.

Presidenti Paul Bia ka bërë thirrje për qetësi dhe ka siguruar se futbollistët dhe tifozët janë të sigurtë.

“Tragjedia është shkaktuar nga shpërthimi i fishekzjarreve, të cilat përdoren rregullisht në këto vende. Zjarri kishte konsumuar fillimisht tavanin e ndërtesës dhe më pas shkaktoi dy shpërthime”, tha zëdhënsi qeveritar Rene Emmanuel Sadi.

“Ne jemi ende në nivelin e hetimeve për të gjetur emrat dhe kombësinë e të vdekurve e të plagosurve”, shtoi ai.

Baby Boo