Banorët e Tearcës “ngulfaten” nga mbeturinat


Për më shumë se tre vite, banorët e Komunës së Tearcës “ngulfaten” nga aroma e keqe, e shkaktuar nga deponia jolegale në fshatin Gllogj. Deponia është krijuar që para tre vitesh dhe që atëherë komuna ka premtuar se do e largojë të njëjtën, por deponia jo vetëm që nuk është larguar, por vazhdon edhe më tej të zgjerohet. Banorët të revoltuat druajnë për shëndetin e tyre.

“Absolutisht nuk rrihet kund, s`mund të dalësh as në oborr askund. Pengesë s`mund ti thuash pak është. Kryetari i komunës apo kushdo qoftë le të vjen të paktën një vizitë ta shoh. Aty e kam shtëpinë në bahçe nuk dilet absolutisht, lloj kafshësh hedhin aty”.

“Urgjentisht duhet me marrë masa për ta pastruar atë vend sepse na pengon, ne jemi të asaj lagjeje e kemi shumë afër atë deponi. Kërkoj që sa më shpejt ta pastrojnë atë vend urgjentisht sepse fillon i nxehti tani mbushet me erëra të këqija”.

“Nuk është problemi vetëm deponia, po shumë gjëra tjera. Vijnë qentë endacak ujqit arushat. Një fëmijë ta kafshojë ai qeni krejt sëmundje është, krejt janë me sëmundje gjërat. Aromat nuk durohen, normal që duhet pastruar atë sa më shpejtë”.

I pyetur për problemin me deponinë, kreu i komunës së Tearcës ka dhënë premtime të serishme, njëjtë sikurse edhe vitet e kaluara. Ai thotë se brenda javës do pastrohet.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit Jetësor jemi në fazën e finalizimit të shpalljes së tenderit për mbylljen e deponisë së krijuar pas vërshimeve dhe nga kjo javë presim mbylljen e tenderit për mbylljen e deponisë së fshatit Gllogj dhe Dobrosht – deklaroi Isen Asani, kryetar i komunës së Tearcës.

Deponia në komunën e Tearcës u krijua pas përmbytjeve në vitin 2015, fillimisht duke hedhur prurjet e vërshimeve, dheun dhe gurët, kurse më vonë, një pjesë e banorëve të pandërgjegjshëm, duke hedhur edhe mbeturinat e amvisërisë, ndërtimit dhe kafshët e ngordhura./alsat-m/

Baby Boo