Babai i 15 vjeçarit në varrim: Ma ke kallë shpirtin, më shkove kaq i ri


Nxënësi i shkëlqyer i Mjekësisë, Lirim Buduri, u varros sot në varrezat e qytetit të Prizrenit, pasi një ditë më parë u ther me thikë për vdekje nga shoku i tij i paraleles.
“Ma ke kallë shpirtin o djali jem, kaq heret me të shti në dhe. Me shkove kaq i ri”, janë fjalët e babait të Lirimit, Shpejtimit, pak para se ta varroste djalin e tij të madh.

Pikëllimi i madh i familjes Buduri emocionoi të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë e varrimit, ndërsa gjyshi i 15-vjeçarit, me lot në sy tha se ngjarja për humbjen e nipit “është lajm i hidhur”.
Bashkëmoshatarët e Lirimit, mes lotësh vendosën kurora lulesh pranë varrit të tij.
Ndërsa, motivin e zënkës që la të vdekur nxënësin 15-vjeçar nuk po e di familja e as organet e drejtësisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në shkollën e mesme të Mjekësisë, “Luciano Motroni” në Prizren, Shukri Myrtezani, aty ku Lirimi vijonte mësimet, tha se 15-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer.
U.D. i drejtorit tha se rasti ka ndodhur dje pasi Lirimi ka përfunduar mësimin, njëherit dita e parë e gjysmëvjetorit të dytë shkollor.

“Është lajm i hidhur që ka ndodhur mes nxënësve të shkollës sonë që ka ndodhur në afërsi të shkollës sonë. I ndjeri ka qenë në mësim dhe pasi ka dalë prej shkollës, me nxënësin tjetër janë taku atje, kështu që pas një zënke aty fatkeqeësisht me një goditje fëmiju ka humbur jetën, këtë informacion e kemi marrë nga Policia e Kosovës”.

Tutje, Myrtezani tha se fëmijët nuk kanë pasur sjellje arrogante në shkollë, përkundrazi kanë treguar sukses në mësime.
“Fëmijët nuk kanë pas shfaqje arrogante e as sjellje të këqija, dëshmi është numri i mungesave. I ndjeri ka pas 2 mungesa, ndërsa tjetri ka pas 5 mungesa. Kanë qenë të pranuar në këtë institucion me 96-7 pikë, me sukses maksimal. Jemi tronditur edhe ne si shkollë, edhe nxënësit edhe kolegët”, u shpreh ai.
“Dje ishim prezent te familja e nxënësit, nuk kishte fjalë me i përshkru ngushëllimet”, përfundoi ai.

Ndërsa, një familjar i Lirimit, po ashtu pjesëmarrës në varrim, Bislim Berisha, tha se janë të shokur me vdekjen e tij dhe se familja nuk është përmenduar asnjëherë se kanë pasur problem me dikë.
“Shpresoj që merr masa shteti, policia, gjykata. Shpresoj që më të mos ndodhin këso rastesh, ndihemi shumë keq. Është humbje e madhe…Nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, nuk mundem me ditë se çka ka ndodh, por familja ska si të jetë më e mirë, janë njerëz të mirë, familje e mirë, fjalë të këqija nuk kemi dëgjuar kurrë për ta. Probleme s’kanë pas kurrë me askënd”, tha ai.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, tha se pasi të rinjtë janë përleshur, njëri prej sulmuesve e kishte goditur viktimën me mjet të mprehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.
“Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika”, njoftoi sot prokuroria.

Drejtësi për Lirimin, shkruante para vendit ku ndodhi krimi
Ndërsa, banorët e lagjes “Bajram Curri” të Prizrenit protestuan mëngjesin e sotëm, pasi një ditë më parë aty u vra Lirim Buduri.
“Unë dje kam dëgju që është marrë iniciativë për protestë, përfaqësuesve të lagjes ju kam shpjegu që jemi përkrah lagjes e familjes, por nuk mundemi me dal në rrugë për shkak që jemi në kohë pandemie”, tha ndër të tjera U.D. i drejtorit të Mjekësisë.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt.
“Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi”, është deklaruar prokuroria.

Baby Boo