Asaf Ademi: Ministria e Kulturës do të mbështesë çdo nismë fisnike shkencore (VIDEO)


Ministri i Kulturës nga radhët e Lëvizjes BESA, Asaf Ademi, sot ka marrë pjesë në hapjen e takimit të trembëdhjetë të Institutit “Albshkenca”.

Më poshtë ua sjellim fjalimin e plotë të Ademit:

“Për mua është privilegj që sot kam mundësi t’ju drejtohem në hapjen e takimit të trembëdhjetë të Institutit “Albshkenca” dhe ndjehem jo pak i nderuar për dy arsye që dua t’i ndaj me ju.

Së pari dua të vë në spikamë faktin se ky institut funksionon kaq vite vetëm mbi baza të entuziazmit dhe vullnetit të mirë të studiuesve. Kjo është dëshmia më e mirë se kur për diçka ka vullnet, edhe nëse mungojnë objektet, sallat, pajisjet dhe financat, ato nuk janë pengesë që të realizohen takime të këtilla shkencore. Zaten, se përkushtimi dhe vullneti janë mbi të gjitha janë leksioni më i mirë që “Albshkenca” na e jep sot neve dhe njëherazi dëshmon se në mjedisin tonë kombëtar, pa marrë parasysh kufijtë, veprojnë studiues që arrijnë ta shohin botën përtej kufijve dhe, madje, pa kufij, për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të shpikur mundësi dhe për të gjetur zgjidhje kur duhet të avancohen studimet shkencore. Prandaj dua ta përgëzoj Institutin “Albshkenca”, themeluesit e saj dhe drejtuesit e saj aktualë.

Gjëja e dytë që dua ta theksoj, e që mendoj se po ashtu është e rëndësishme, është shënimi i 550-vjetorit të vdekjes së kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që është kryetema e këtij tubimi shkencor. Këtu dua të shpreh kënaqësinë time jo vetëm që protagonist i këtij viti ishte heroi ynë kombëtar, madje as vetëm që ky përvjetor është shënuar në mënyrë dinjitoze edhe në Maqedoni, por ajo që mendoj se është e rëndësishme është se edhe bota shkencore shqiptare mbetet e fokusuar në aktivitete shkencore që kanë të bëjnë me këtë figurë dhe i rikthehet atij sa herë që kemi përvjetorë të kësaj rëndësie. Këtu dua t’ju rikujtoj se shënimi i 500-vjetorit të vdekjes së tij dikur, pra më 1968, ishte një moment kthese në historinë e shqiptarëve në Ballkan. Atë vit e këndej filloi një këndellje kombëtare, veçmas te shqiptarët që atëbotë jetonin në ish Jugosllavi. Prandaj unë uroj që edhe 550-vjetori të jetë një këndellje e tillë, natyrisht tash në frymën e kërkesave të kohës sonë për integrim dhe bashkëpunim në botën e qytetëruar dhe në familjen e madhe europiane. Një Gjergj që u bë Skendërbe, që një herë ishte kryeheroi i Perandorisë, pastaj kryetrimi i Arbërisë dhe, në fund, miku i Europës, është një Skënderbe që është leksion për Europën se shqiptarët kontribuan për atë edhe atëherë kur ajo akoma nuk kishte lindur si koncept. Për këtë arsye, sot kur edhe ky aktivitet shkencor zhvillohet nën këtë emër, unë dua ta përgëzoj organizatorin dhe studiuesit që kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme për të zhvilluar një kremte shkencore, që sigurisht do të vijojë edhe me botimin e materialeve të saj.

Pa e zgjatur më shumë do ju them se Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë ta mbështesë, në kuadër të mundësive të saj, çdo nismë fisnike shkencore dhe ne do të jemi aty për ta lënë gjurmën tonë, sado të vogël, por për të dëshmuar se edhe ne jemi të përkushtuar për t’i ndihmuar dhe promovuar vlerat e njëmendta shkencore e kulturore.

Sigurisht që punët e mëdha nuk bëhen me një hap, as me trembëdhjetë hapa, por nuk bëhen as pa atë hap të parë e pa ato trembëdhjetë hapat e para.
Unë ju uroj shumë hapa e shumë konferenca shkencore. Urime e suksese!”

Baby Boo