Ankand parazgjedhor: Premtime për paga prej 750 – 800 euro

Viele Euro Geldscheine

Ekonomistët thonë se premtime të tilla janë vështirë të realizueshme në një periudhë kur Maqedonia, po ballafaqohet me kurimin e ekonomisë nga pandemia. Gjithashtu vlerësohet se vetëm rritja e produktivitetit të ekonomisë vendore mund të sjellë rritje të pagave. Në pritje të shpalljeve të zgjedhjeve lokale, një pjesë e partive të pozitës dhe opozitës kanë filluar të japin premtime të mëdha për rritjen e pagave.

Edhe pse zgjedhjet për kryetarë të ri të komunave janë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme infrastrukturore si ndërtimi i rrugëve, shkollave, ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të ngjashme, megjithatë fushata parazgjedhore ka filluar me tema që ndërlidhen me kompetencat e pushtetit qendror. Në promovimin e para një jave të konceptit” Maqedonia për të gjithë njerëzit”, në Karposh në Shkup, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski shpalosi planin e partisë se si do të sigurohet paga mesatare për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, prej 750 euro apo 45 mijë denarë.

VMRO-DPMNE në periudhë e ardhshme të promovojë një qasje të re ndaj zgjidhjes së problemeve ekonomike, apo do të ofrojë zgjidhje që do të jenë tërheqëse dhe reale për qytetarët me qëllim , që të përmirësojnë përditshmërinë e tyre dhe standardin e tyre jetësor. Një nga zgjidhjet e para do të jetë edhe tregtia me kripto valutat, që do t’ju mundësojë njerëzve të ri transfer të shpejtë dhe efikas të financave, me këtë qytetarët e Maqedonisë të involvohen dhe njihen me trendet evropiane dhe botërore të funksionimit theksoi Mickovski. Nga ana tjetër, kryeministri dhe lideri I LSDM-së, Zoran Zaev, premtoi 600 euro paga në mandatin aktual dhe 800 euro në mundshme në të ardhmen.

“Ia arritëm qëllimit të pagës mesatare prej 28 mijë denarë. Kjo ishte për muajin prill. Kemi premtuar pagë mesatare prej 36 mijë denarë. Tani le të punojmë të gjithë së bashku që të arrijmë deri në 800 euro” theksoi Zaev. Ai shtoi më tej se do të dëshironte pagë mesatare prej 60 mijë denarë apo 975 euro deri në fund të mandatit , por për këtë sipas tij nevojitet një unitet shumë i madh.

Nga ana tjetër, ekonomistët dhe përfaqësuesit e biznesit thonë se premtime të tilla janë vështirë të realizueshme në një periudhë kur jo vetëm Maqedonia, por edhe rajoni dhe më gjërë ballafaqohet me shëndoshjen e ekonomisë nga pasojat e dëmshme dhe të rënda të shkaktuara nga pandemia. Gjithashtu vlerësohet se vetëm rritja e produktivitetit të ekonomisë vendore mund të sjellë rritje të pagave. Një pjesë e sindikalistëve thonë se aktualisht kemi probleme të mëdha me lëshimin e punëtorëve nga puna, mbylljen e një pjese të bizneseve, etj.

“Realisht si shtet jemi në një gjendje jo të lakmueshme, bile edhe të rëndë financiare, që mund të përkeqësohet edhe më shumë në rast të një vale të re të pandemisë. Gjithashtu janë dhënë mjaft premtime që nuk mbajnë dhe nuk po realizohen nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër kemi raste që nuk paguhen rregullisht pagat, ndërsa edhe kjo mesatare e pagave nuk është reale”, thotë aktivisti i sindikatave Marjan Ristevski. Sipas tij, të flitet për pagë mesatare prej 750 euro në këtë moment është jashtë mundësive reale të vendit dhe më shumë i ngjason premtimeve të sferës së fantazisë shkencore. Përfaqësuesit e biznesit thonë se premtime të tilla pa treguar konkretisht edhe hapat se si do të arrihet një premtim tillë , janë vështirë të realizueshme.

“Vështirë se një target i tillë mund të arrihet nga ekonomia jonë që nuk po krijon vlerë të shtuar, nuk po realizon investime që do të sjellin profit prej shitjes së prodhimeve dhe shërbimeve, apo edhe ekonomia nuk po zhvillohet mjaftueshëm që të mund të ndajë mjete të nevojshme për pagat e të punësuarve “, thotë numri një i Konfederatës së Biznesit, Mile Boshkov.

Nga ana tjetër, ekonomistët vlerësojnë se këto premtime më shumë janë parazgjedhore që nuk mbajnë edhe aq shumë, përderisa sipas tyre rritja e pagave ndërlidhen me më shumë aspekte makroekonomike siç janë rritja e Produktit të i Brendshëm Bruto (PBB) si tregues që mat vlerën e produkteve dhe të shërbimeve të përdorimit përfundimtar, të prodhuara në territorin e një vendi gjatë një periudhe kohe të caktuar.

“Premtime të tilla do të duhej të bazohen në përllogaritje konkrete dhe hapa konkret që do të ndërmerren për të arritur nivelin e premtuar të pagës mesatare. Tani shtrohet çështja se si do të arrihet një qëllim i tillë, mbi të gjitha me rritjen e produktivitetit, apo me vendosjen e teknologjive të reja që do të përkrahen pjesërisht nga shteti, me huazime të reja, rritjen e tatimeve“, thotë analisti ekonomik, Arben Halili.

Ndryshe, ekonomistët thonë se një nga dobësitë strukturore të ekonomisë vendore është orientimi jo i madh i kompanive ndaj eksportit, pasi vlerësohet se një vend është i pasur aq sa mundet të prodhojë produkte të ndryshme që do eksportohen me qëllim që të ketë edhe rritje sa më të lartë ekonomike, që në fund do të sjellë edhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Për nivelin e ulët të produktivitetit tonë, udhëzojnë edhe të dhënat e zyrës evropiane të statistikave “Eurostat”, sipas të cilave një punëtor në Maqedoninë e Veriut për një orë pune krijon vetëm afër 43 për qind të vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në Bashkimin Evropian. Banka Popullore e Maqedonisë e mat produktivitetin si raport midis Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe numrit të punësuarve.

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar thonë se vendi nevojitet të ndërmarrë politika të shumë anshme me qëllim që të zbusë dobësitë në tregun e punës dhe të rrisë produktivitetin. Në fushën e shkathtësive, kryesorja është rritja e nivelit të përfundimit të arsimit të mesëm, rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe modernizimi i sistemit të arsimit profesional, thonë nga FMN.

Ekspertët ekonomik në Maqedoninë e Veriut, vite me radhë alarmojnë se produktiviteti i ulët i ekonomisë vendore ndërlidhet krahas pajisjes së dobët teknike-teknologjike të kapaciteteve prodhuese, edhe me mungesën e masave më të mëdha dhe politikave zhvillimore të orientuara në eksport, investimit më të madh në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe modernizimin e të vjetrave.

Baby Boo