A do ta ndihmojë regjistrimi balancuesin?


A do t’i shfrytëzojnë institucionet kompetente të dhënat e regjistrimit të popullsisë për të shmangur keqpërdorimet rishtas të balancuesit nga persona që deklarojnë rrejshëm përkatësinë e tyre etnike gjatë punësimit? Për momentin kjo pyetje mbetet pa përgjigje. Mediat janë drejtuar te institucionet e ekzekutivit por ato akoma nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona. Askush nuk e dinë numrin e saktë të rasteve kur balancuesi është keqpërdorur.

Gjatë shpalljeve për punësim, balancuesi llogarit në mënyrë automatike përkatësinë etnike që duhet të ketë personi që do të punësohet, për t’u respektuar përfaqësimi i drejtë etnik megjithatë Alsat ka raportuar për të paktën dhjetëra raste të dokumentuara, kur persona të një përkatësie tjetër etnike, e kanë ndryshuar rrejshëm atë gjatë aplikimit dhe e kanë fituar vendin e punës.
BDI-ja është e mendimit se balancuesit si mekanizëm duhet të mbetet, por të gjenden mënyra të tjera për të shmangur keqpërdorimin e tij.

“Balancuesi ka për qëllim rritjen, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Është një mekanizëm tejet i rëndësishëm për ruajtjen, respektimin dhe implementimin e një përcaktimi po aq të rëndësishëm kushtetues siç është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Sigurisht se si mekanizëm është vendosur për respektim të këtij parimi. Mbetemi në të njëjtin dhe sigurisht duhet të jemi të vëmendshëm për evitimin e çfarëdo lloj keqpërdorimi që mund t’i bëhet këtij lloj mekanizmi”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se pavarësisht se si janë deklaruar qytetarët gjatë regjistrimit, ka mekanizma të tjerë të cilët duhet të zbatohen për të shmangur keqpërdorimet e balancuesit.

“Ne jemi shprehur vazhdimisht që krahas sistemit balancer të krijohen edhe mundësi të tjera ligjore për t’u vërtetuar përkatësitë kombëtare të qytetarëve. E para është intervenimi në librat amë, në dokumentet e gjendjes civile, për t’u deklaruar një herë e mirë secili qytetar për përkatësinë e tij kombëtare dhe e dyta, natyrisht është provimi pranues në institucione; kur aplikon, duke u deklaruar se i përket një kombësie presim dhe do të ishte normale që testi me gojë ose me shkrim të jenë në gjuhën e kombësisë që i përket”, tha Arben Fetai, Aleanca për Shqiptarët.

Në disa raste, balancuesi është konsideruar si diskriminues vetë në vetë meqë përcakton përkatësinë etnike të personave që favorizohen gjatë punësimit. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e cila thotë se qytetarët e vendit janë barabartë në liritë dhe të drejtat e tyre, pavarësisht kombësisë, ngjyrës, gjinisë, rasës, etj. /Alsat.mk

Baby Boo