Ne, vrastarët e pavullnetshëm të fëmijëve


Arbër Çeliku
Para 2 vjetësh, profesoresha ime nga Gjermania erdhi të bëjë mësim te ne. Si zakonisht, si rrjedhojë e traditës familjare, e prita në aeroport dhe e nxora të shohë Shkupin dhe ambientin përreth. Teksa lëviznin më veturë, ajo kishte vërejt shumë qen rrugës. Pasi parkuam dhe u ndalëm në qendër të Shkupit për të pirë kafe, më pyeti: “Warum gibt es so viele ARME HUNDE auf der Staße?” (Përse ka kaq shumë QEN TË GJORË rrugëve?). Për të kjo ishte një dukuri e panjohur, sepse Gjermania ka krijuar përkujdesje për kafshët. U mundova t’ia shpjegoj se në vendin tim përkujdesje nuk kanë njerëzit e lëre më kafshët, tundi kokën dhe nuk vazhdoi të më pyesë më lidhur me këtë çështje.
Në u themi qen endacakë, kurse gjermanët qen të gjorë, pra na ndryshojnë perspektivat e pikëvështrimit, ata nisen nga përkujdesja, kurse ne nga endja kuturu lart e poshtë. Si ata ashtu edhe ne kemi të drejtë: ata e njohin përkujdesjen, kurse ne jo.
Qeni si kafshë nuk ka vetëdije dhe vepron në bazë të instinkteve, kurse njeriu është i vetëdijshëm dhe vepron në bazë të arsyes.
Si pasojë, qentë nuk kanë faj nëse sulmojnë një fëmijë a të rritur rrugës, kurse njeriu po. Viktima e vjetshme në Baçisht të Kërçovës, një dalë i mitur dhe viktima e djeshme në Gostivar, një vajzë 17-vjeçare, të cilët e paguan me vdekje, por edhe shumë viktima të tjera, që për fat të mirë e kanë paguar vetëm me lëndime trupore sulmin e qenëve të gjorë, janë viktima të sistemit OUTLAW tonit, që ka prodhuar qen dhe njerëz të gjorë, por edhe e vetëdijes tonë kolektive, e cila konsiston në moton egoiste: PËRDERISA MUA MË SHKON MIRË, TË TJERËT I PAFSHA NË DREQ TË MALLKUAR.
Këto viktima janë të huajat, na dhimbsen, lëshojmë një psherëtime keqardhjeje, e cila nesër do të shuhet se të tillë na ka bërë sistemi. Një shpirt nëne është djegur vjet dhe sivjet, nesër mund të digjet edhe shpirti ynë, vetëm atëherë do të vetëdijesohemi, por do të jetë vonë…
Tash shtrohet pyetja kush i vrau këta lule të njoma?!
Qentë, do të thoshim, por ky është një akt i pastër hipokrizie.
Këta fëmijë i vramë ne, duke i duartrokitur në vazhdimësi të keqes, në vend që ta shkulim, siç e kanë bërë popujt e qytetëruar shekuj me radhë.

Baby Boo