Zoran Zaev : Jam maqedonasi i parë që lufton për shqiptarët (VIDEO)

Në intervistën e tij ekskluzive për televizionin A2 në Tiranë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev nuk mund të mos flasë edhe për faktorin shqiptar në vendin e tij, faktor të cilit ai mendon se tashmë i ka dhënë prova të mjaftueshme për t’ i dhënë besimin e votës.

“Jam maqedonasi i parë që lufton hapur për shqiptarët, kam shenja në fytyrë për këtë, por jam krenar. Kam humbur disa vota maqedonase, por kjo është e ardhmja e këtij vendi multietnik”, thotë Zaev.

Sipas tij, diferenca me qeveritë e tjera në të kaluarën qëndron tek fakti se janë kryer “shumë ndërhyrje në infrastrukturë, pa pyetur kush jeton aty, çfarë besimi kanë. Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Kur i pyesni shqiptarët ata thonë qartë se e duam këtë vend, por tani e ndjejmë se edhe vendi na do ne. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë trajtohen si të barabartë”.

Kryeministri maqedonas deklaron edhe që ai mendon se tashmë në sondazhet që i përkasin pjesës shqiptare, ai qëndron “më mirë se Ali Ahmeti, Zijadin Cela, Bilal Kasami, Afrim Gashi, liderë të partive politike shqiptare, me një pjesë të tyre bashkëpunoj. Jam krenar për këtë”.