Zjarri në Athinë, 86 numri i viktimave; Kërkime në det për të mbyturit


Makthi i tragjedisë më të rëndë të shkaktuar në Greqi nga zjarret prej mese një dekade, sipërfaqet edhe një herë në çdo viktimë të re të gjetur gjate operacioneve të kërkimit, sidomos në det, të cilat i ka ndjekur nga afër edhe kamera e Top Channel.

Ekipit të xhirimit iu bashkua dhe një grup vullnetarësh, të cilët po kërkojnë së bashku me rojet bregdetare për trupa në ujë. Qindra vetë u përpoqën t’i largoheshin flakëve duke iu drejtuar asaj që dukej si rruga më e logjikshme e shpëtimit; deti; por një pjesë të tyre, pikërisht ai që duhet t’i shpëtonte, i solli vdekjen.
Rojet bregdetare arritën të nxirrnin gjallë nga uji 750 persona, megjithatë nuk mundën të bënin asgjë për disa të tjerë, mes të cilëve edhe fëmijë, të cilët u gjetën të mbytur. Varri i tyre do të bëhej vendi i njohur si Koqino Limanaqi.

Pikërisht aty u gjet numri më i madh i viktimave. Veshjet, telefonat, këpucët e kartat e identitetit në zonë nxjerrin edhe një herë në pah anën njerëzore të fatkeqësisë, duke e bërë dhimbjen edhe me therëse.

Në morgun e Athinës, është në përfundim procesi i dhënies së kampioneve të ADN-së, ndërsa ekspertët thonë se deri pasditen e së shtunës do të kenë mbaruar identifikimin e një pjese të mirë të 86 trupave të gjetur.

Problem mbeten mbetjet mortore, pasi shumë pjesë trupash janë gjetur të shpërndara në zonë si edhe trupat e karbonizuar, mbi të cilët është e vështirë të kryhen analiza.

Autoritetet greke, deklaruan se pas identifikimit të viktimave, familjarët mund t’i tërheqin trupat për të organizuar varrimet që do të paguhen nga shteti.

Disa prej viktimave sot e kanë ndërkohë një emër. Shefi i kuzhinës, Panos Kokinidis mësohet të ketë humbur jetën së bashku me të shoqen dhe dy fëmijët. Një njeri i rrallë me vlera te larta morale, siç thonë ata qe e njihnin.

Shtetasi irlandez Brian O’Callaghan-Westropp, një xhentëllmen i vërtetë sipas miqve te tij, ishte duke festuar muajin e mjaltit. Autoritetet kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e një turisti belg 63 vjeçar, Dirk Bonte, djali 13 vjeçar i të cilit arriti të shpëtojë.

Baby Boo