Zjarri apokaliptik në Greqi, vjen dorëheqja e parë nga kabineti qeveritar i Tsipras

Pas zjarrit apokaliptik që përfshiu rajonin e Atikës, ku humbën jetën mbi 90 persona, vjen dorëheqja e parë nga kabineti qeveritar i Tsipras. Mësohet se zv/ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve, Niko Toska ka marrë vendimin drastik, duke dhënë dorëheqje. Siç shkruajnë edhe mediat greke, ditën e sotme kryeministri grek, Alexis Tsipras ka pranuar dorëheqjen e Toskas që e kishte paraqitur një javë më parë, madje dhe e ka firmosur.

Pas këtij vendimi Tsipras falenderoi zv/ministrin Toskas për punën e bërë dhe për bashkëpunimin, ndërsa tashme kompetencat për këtë detyrë i kalojnë ministrit të Brendshëm Panos Skurleti.



Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Toskas tha se falënderonte Tsipras për besimin që i kishte dhënë. “Dua të falënderoj sinqerisht kryeministrin për besimin që më caktoi në këtë detyrë. Fatkeqësia natyrore dhe humbjet njerëzore në Mati tejkalojnë vullnetin tim për të vazhduar, gjë që e kam thënë edhe publikisht që prej fillimit. Kam provuar gjatë gjithë jetës time për të ofruar mbrojtje për vendin dhe qytetarët. Falënderoj të gjithë burrat dhe gratë e Brigadës së Zjarrit, Policisë Greke, Forcat e Armatosura, Rojën Bregdetare, si dhe vullnetarëve që luftuan për t’u përballur me zjarrin dhe i ndihmuan njerëzit”, tha Toskas, shkruan ‘Zougla.gr’.