Zgjedhje më 21 qershor nëse s’ka konsensus, DPMNE do të jetë në fletëvotime edhe nëse bojkoton qershorin


10 ditë deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ende nuk ka përafrim të qëndrimeve për datën e zgjedhjeve. LSDM dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë të tregohen optimist për konsensus, por nuk japin propozime të reja për datë. Nga opozitarja maqedonase thonë se është e pavend të bëhet konsensus mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Konsensus do të ketë, e sa i përket datave, nuk duhet të jenë mbi shëndetin dhe jetët e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Të hapur për marrëveshje janë edhe socialdemokratët, por nëse s’gjendet gjuhë e përbashkët, thonë se zgjedhje do të ketë me mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Ne jemi për të gjetur zgjidhje të përbashkët, të gjejmë konsensus, megjithatë nëse nuk gjejmë konsensus atëherë ligji thotë se 22 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme, vijojnë zgjedhjet”, tha Kosta Petrov, nënkryetar LSDM.

Shkuarjen në zgjedhje pa konsensus mes partive, vetëm me dekret të qeverisë, sekretari gjeneral I DPMNE-së dje e quajti joligjore dhe të kontestueshme. Megjithatë as në këtë rast opozitarja nuk do të mund të tërhiqej nga zgjedhjet.

“Tërheqja i listave të kandidatëve të paktën në këtë moment nuk është e mundur sepse është proces i kryer në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe si e tillë është punë e kryer dhe s’ka si të bëhet”, tha Igor Janushev, sekretar gjeneral VMRO-DPMNE.

Duke folur për këtë, deputeti i LSDM-së Kostadinov tha sot se me ose pa bojkotin e DPMNE-së, kjo parti do të gjendet në fletëvotim.

“Hrisitjan Mickoski tani vetëm mund të zgjedhë, nëse do të bëjë fushatë ose jo, ndërsa partia e tij në çdo rast do të gjendet në fletëvotim”, tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Nga Presidenca thonë për TV21 se tani për tani nuk është planifikuar takim i ri i liderëve. Dy përpjekjet e para për tu marrë vesh për datën e zgjedhjeve dështuan. LSDM kërkon zgjedhje në mes të qershorit, sepse siç pohojnë, ekziston frika e një vale të re të koronavirusit në vjeshtë. E VMRO-DPMNE-ja kërkon pikërisht këtë periudhë, fund gushti ose fillim shatori. BDI nuk ka dhënë datë konkrete. Lëvizja Besa bashkë me PDSH mbështesin propozimin e LSDM-së, ndërkaq parterët ASH-Alternativa si datë kanë propozuar 26 korrikut./TV21

Baby Boo