Zeka: Deputetët e Listës Serbe janë përfaqësuesë të Vuçiqit dhe Radojiçiqit


Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, për Milaim Zekën, nuk përbën asnjë lajm.

“Për mua, dorëheqja aspak nuk përbën lajm. Sot nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë”.

“Të gjitha institucionet në veriun e Mitrovicës kanë qenë të paralizuara. Asnjë institucion nuk ka funksionuar në veriun e Mitrovicës – ka qenë dhe është shtet në vete, pagesat bëhen me dinarë, atje ke fotografi të Sllobodan Millosheviqit”.

“Atje e vetmja Qeveri banditeske dhe kriminale ka qenë në krye me Milan Radojiçiq dhe kriminelë të tjerë”.

Zeka në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se vëmendja duhet të përqendrohet tek serbët që jetojnë në gjithë Kosovën.

“Ne në vend që të orientohemi nga popullata serbe në Shtërpcë, Graçanicë, në pjesën jugore, ne e kemi injoruar totalisht pjesën e serbëve me të cilët takohemi dhe rrimë çdo ditë sepse neve na ka interesuar vetëm pushteti”.

“Ne e kemi ndërtuar një Qeveri duke ditur që këta deputetë të Parlamentit të Kosovës, të Listës Serbe, nuk janë përfaqësues të popullit serb në Kosovë. Këta deputetë janë përfaqësuesë të Aleksandar Vuçiqit dhe Milan Radojiçiqit, që kanë hyrë në Parlament për të bërë biznese”.

Madje, deputeti i Nismës ka pasë akuza për shqiptarët që kanë bërë biznese me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiqin.

“Se cilët shqiptarë kanë bërë biznese me [Milan] Radojiçiqin dhe kush është takuar me shefin e Shërbimit Sekret të Serbisë, edhe në Prishtinë, edhe në Hajvali, edhe në veri të Mitrovicës le të tregojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli, Ramush Haradinaj – të gjithë liderët e Kosovës”.

“Është për të ardhur keq që ne e kemi sjellë punën që Qeverinë dhe shtetin e Kosovës ta mbajë peng Milan Radojiçiqi me 15-20 vetë – fajtorë janë qeveria e Beogradit, Aleksandar Vuçiqi, dhe politikanët e Kosovës”.

Ai ka thënë edhe se në veri të Mitrovicës është zhvilluar krim i organizuar, tash e sa kohë.

“Ne e dimë kush është bërë milioner, edhe nga pala serbe, edhe nga pala e politikanëve shqiptarë me ato 5-6 milionë euro gjoja për ndërtimin e shtëpive të serbëve për t’u kthyer në Kosovë”.

“Ka qenë krim i organizuar, ne kemi dhënë para për të paguar rrymën e serbëve në veri në Mitrovicës, na ka vjedh KEDS-i haptas dhe asnjë prokuror nuk është marrë me këtë”.

“Qytetarët në veri nuk kanë paguar as telefon dhe as rrymë, kush i ka kontrolluar këto para. Krejt ky krim i organizuar është bërë para syve të politikanëve të Kosovës”.

Milaim Zeka ka folur edhe për teorinë e shkëmbimeve të territoreve, mes Kosovës dhe Serbisë – si dhe idenë e presidentit të vendit, Hashim Thaçit, për bashkangjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Çështja e ndarjes janë teori konspirative të Ballkanit”.

“Nëse ne ndjekim politikë pragmatike, atëherë duhet t’i kërkojmë falje Vetëvendosjes pse nuk i kena bojkotuar produktet serbe kur ata kanë dalë edhe kanë rrotulluar kamionat”.

“Sa i përket idesë së Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për ridizajnimin e kufijve – ne nuk kemi informacion sepse Hashim Thaçi po thotë ndryshe, Aleksandar Vuçiqi ndryshe”.

“Problemi i klasës politikë në Beograd dhe Prishtinë është qe ne nuk i besojmë njëri-tjetrit, jemi ulur në tavolinë formalisht, për t’ia bërë qejfin Washingtonit dhe Brukselit – kemi harruar që edhe luftën edhe paqen mund t’i fitojmë duke u ulur në tavolinë dhe duke biseduar shqiptarë dhe serbë”.

Baby Boo