Zbulohet dosja e zhdukur për ekzekutimin e Aulon Zekës


Vetëm një ditë pasi mediat raportuan se një pjesë e shkresave të lëndës në rastin për vrasjen e Aulon Zekës, duke përfshirë edhe aktakuzën është zhdukur dhe nuk po gjendet, lënda është gjetur në Gjykatën e Apelit.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Lënda është gjetur me të gjitha shkresat të cilat ishin ngatërruar në një lëndë tjetër të krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit”, tha Jashari.

KALLXO.com raportoi dje se për disa ditë një pjesë e shkresave të lëndës në rastin për vrasjen e 16 vjeçarit, Aulon Zeka nuk po gjenden.

Afrim Zeka babai i të ndjerit, tha se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nisjen e hetimeve për gjetjen e lëndës.

Pak minuta pasi KALLXO.com raportoi ekskluzivisht se lënda për vrasjen e Aulon Zekës të cilën Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim nuk është kthyer e plotë, Gjykata e Apelit thotë se lëndën e ktheu në Themelore të plotë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Apelit, Arbër Jashari tha se Gjykata e Apelit e ka kthyer në Themelore lëndën e plotë.

Gjykata e Apelit është njoftuar ditë me parë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin, dhe menjëherë ka filluar një verifikim i brendshëm, lidhur me pretendimet në fjalë. Nga shikimi i regjistrave tanë, rezulton se lënda PAM.nr.44/2018, është ekspeduar e plotë (lënda plus 1 folder) në gjykatën e shkalles se parë, me 16.08.2018”, tha Jashari.

Se lënda është kthyer e plotë në Themelore, Jashari thotë se vërtetohet edhe nga nënshkrimi i zyrtarit administrativ të gjykatës themelore i cili e ka pranuar lëndën dhe nuk ka shfaqur ndonjë vërejte gjatë aktit të pranimit.

Gjithsesi Gjykata e Apelit, mirëpret çdo nisme institucionale e cila do t’i kontribuonte zbardhjes se plotë të kësaj paqartësie dhe është e gatshme për bashkëpunim.

KALLXO.com ekskluzivisht raportoi sot se një pjesë e lëndës së Aulon Zekës nuk është kthyer në Themelore dhe si rrjedhojë ka penguar mbajtjen e gjykimit ndaj të miturve që ngarkohen për këtë rast.

Afrim Zeka, babai i të vrarit Aulon Zeka, është ankuar në KALLXO.com se lënda ndaj djalit të tij ka humbur dhe për këtë arsye nuk është mbajtur seanca e cila ishte paraparë të mbahet sot.

Ai në një deklaratë për KALLXO.com tregoi në lidhje me seancën e sotme.

“Deri sot deri diku jam kanë në rregull por sot shqetësimi im është shumë i madh për shkak që sot ka qenë seanca me u mbajt për vrasjen e djalit tem dhe seanca nuk u mbajt për një arsyeje palidhje, mungon dosja e aktakuzës. Se di a e kanë bo qëllimisht në Gjykatën e Apelit apo çka ndodh nuk e di”, tha Zeka.

Ai shtoi se ka bërë kërkesë në prokurori për hetim në lidhje me mungesën e lëndës.

“Menjëherë pas seancës e bana një kërkesë në prokurori për me hetu menjëherë rastin pse është fsheh a po mungon dosja e aktakuzës”, shtoi ai.

Në fund babai i të vrarit në vitin e kaluar Aulon Zeka, ka kërkuar nga ana e sistemit të drejtësisë të marrë çështjen me seriozitet.

“Deri tash e kam pas durimin, qysh edhe kur më kanë tregu qëdjali jem është gjendur i vrarë edhe atëherë kam qenë i durueshëm, le ta bon drejtësia punën e vet mos tëm shtinë me u marr me sene që nuk duhet me u marr”, tha ai.

Baby Boo