Zaimi: “Qeveria nuk ka një strategji për t’i vënë një “digë” urgjente përhapjes së virusit”


Sistemi shëndetësor publik tashmë po i manifeston anomalitë e veta, ndërkohë që numri i të infektuarve gjithnjë po rritet. Shpallja e gjendjes së krizës në vetvete nuk përfaqëson asgjë nëse qeveria nuk ka një strategji për t’i vënë një “digë” urgjente përhapjes së virusit. Përfaqësuesit qeveritarë thonë se mjaftojnë masat që janë në fuqi, por duket se pa një mbyllje të tërësishme vështirë se shifrat do të ulen. Ky fluks infektimesh enorme nuk guxon të shndërrohet në normalitet. Është koha të veprohet urgjentisht sepse mund të ndodhë një kaos i vërtetë.

Autor: Bardhyl Zaimi

Ndërkohë që pritet të shpallet gjendje e krizës, shifrat e të infektuarve mbeten alarmante. Duket se qeveria dhe gjendja e rënduar me përhapjen e virusit po lëvizin në drejtime të kundërta. Sipas ligjit shpallja e gjendjes së krizës nënkupton që qeveria të mund të menaxhojë me resurset shtetërore, por edhe me resurset private dhe ato të qytetarëve. Kjo është suaza ligjore që në vetvete nuk paraqet diçka, nëse qeveria tashmë nuk ka një strategji se si do të veprojë në kushte kur infektimet dhe rastet e vdekjeve janë në rritje e sipër.

Gati të gjitha shtetet europiane tashmë kanë hyrë në një fazë tjetër mbylljeje pas rritjes enorme të numrit të të infektuarve. Maqedonia e Veriut deri më tash është mjaftuar me masat shtesë kufizuese, të cilat nuk kanë dhënë ndonjë rezultat në parandalimin e kufizimeve. Brenda kohës janë shfaqur edhe anomali në funksionimin e spitaleve publike dhe përkundër glorifikimeve që vijnë për personelin mjekësor, raportohet se një pjesë e tyre nuk janë në lartësinë e detyrës. Anomali të pafundme akoma më tepër po e vështirësojnë situatën me numrin e të infektuarve, ndërkohë që dita-ditës po imponohet një mbyllje e tërësishme në nivel shteti për të parandaluar më te keqën ndër qytetarët.

Kryeministri Zaev ka sqaruar se shpallja e gjendjes së krizës nuk e nënkupton mbylljen ose orën policore. Kundër orës policore ka qenë edhe ministri i Shëndetësisë, Filipçe, sipas të cilit tash për tash mjaftojnë vetëm masat ekzistuese që nënkuptojnë mostubimin e njerëzve dhe masat tjera standarde për pandeminë. Duket se shifrat alarmante të infektimeve dhe numri i vdekjeve nga covid 19 në javët e fundit po shndërrohet në normalitet, ndërkohë që qeveria po reagon ngathët dhe pa ndonjë ide se si mund të parandalohet kjo valë infektimesh.

Pas paralajmërimit për shpalljen e gjendjes së krizës klinikat private kanë shfaqur gatishmëri të vendosin kapacitetet e tyre nën menaxhimin e qeverisë. Megjithëse kanë mirëpritu lajmin për t’u vë në shërbim të qytetarëve, nga këto institucione thonë se protokollet e funksionimit janë të paqarta.

Që nga fillimi i pandemisë, klinikat private janë përfshirë në luftën kudër pandemisë por me çmime që vetë i kanë përcaktuar. Klinikat kanë zbatuar çmime më të larta për testet PCR, analizat laboratorike dhe trajtimin. Çmimet e trajtimeve në klinikat private kanë mbërritur në mijëra euro, ndërkohë që testet janë paguar nga 3 mijë deri më 6 mijë denarë.

Në Maqedoni të Veriut funksionojnë dhjetëra klinika private, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të kategorizon cila prej tyre plotëson kushtet për t’u vendos në dispozicion të qeverisë dhe shëndetit publik gjatë gjendjes së krizës.

Sidoqoftë, gjendja e krizës më tepër nënkupton menaxhimin me resurset njerëzore dhe institucionale në një kohë kur infektimet kanë shënuar rritje, por mbetet e paqartë se si mund të parandalohet kjo përhapje e javëve të fundit, pa një mbyllje totale. Ministri i Shëndetësisë, Filipçe ka theksuar se një mbyllje tjetër e tërësishme nuk do të kishte efekte, ndërkohë që ka theksuar se tash për tash mjaftojnë kufizimet që janë në fuqi.

Ndërkohë, dita-ditës po shtohen zërat për një mbyllje të tërësishme në këto muaj që paraqesin rrezik shumë më të madh për infektime. Gjithsesi edhe numri i infektimeve dhe i vdekjeve gjithnjë e më tepër po e imponon idenë e mbylljes së tërësishme për të mos i shndërruar në normalitet numrat e infektimeve dhe vdekjeve të përditshme.

Mbase qeverisë i duhet të ekuilibrojë edhe dimensione të tjera që ndërlidhen me jetën sociale dhe ekonomike të njerëzve, por në këtë rast shëndeti mbetet mbi të gjitha. Koha është për një strategji të menduar për këto muaj të vështirë, pavarësisht nga pasojat ekonomike që mund të ketë. Koha është për një reagim efektiv për të vënë një digë ndalese për fluksin e madh të infektimeve. Vetëm masat në fuqi nuk e sigurojnë këtë parandalim, zvogëlim të rasteve të infektuara. Do të duhen kufizime tjera, pse jo edhe një mbyllje e tërësishme për ta vënë nën kontroll përhapjen e virusit, e cili tashmë është i kudondodhur. Preventivë për trajtim dhe shërim gjithsesi se po, por edhe parandalim nëpërmjet një strategjie kufizimesh tjera, që do të përfshijë brenda vetes edhe aspektin ekonomik, pra ndihmën për subjektet ekonomike dhe për qytetarët.

Baby Boo