Zaev u ka dhënë ofertë, Lëvizja BESA dhe PDSH sot vendosin për hyrje në qeveri

“Kemi marrë ofertë, sonte Kryesia Qendrore dhe Kuvendi Qendror i partisë do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim. Pas kësaj do të ketë njoftim ose konferencë për shtyp”, kështu përgjigjet, zëdhënësi i Lëvizjes BESA nga krahu i Afrim Gashit, Orhan Murtezani për Portalb.mk.

Sigma Doors

Nga Partia Demokratike Shqiptare nuk janë të kapshëm për të treguar se a kanë marrë ofertë për t’u futur në qeveri dhe cili është qëndrimi i tyre, edhe pse dje kryetari i partisë, Menduh Thaçi deklaroi se sot do të japin njoftim.

Të pakapshëm janë edhe zëdhënësit e LSDM-së për të treguar rreth ofertës që u është dhënë kandidatëve për partnerë të rinj qeveritar.

Mbrëmë ka pasur takim mes kryeministrit Zoran Zaev, Menduh Thaçi dhe Afrim Gashi.

Edhe pse nuk e konfirmojnë partitë, megjithatë mediat sot shkruajnë se Thaçi dhe Gashi do të jenë pjesë e koalicionit me LSDM-në dhe BDI-në.

Sipas të njëjtave, me rikonstruimin e Qeverisë, pritet që të dy partitë të marrin nga një ministri. Siç shkruajnë nëpër media, Lëvizja BESA pritet që ta marrë Ministrinë e Kulturës, ndërkaq PDSH-ja një ministri pa resor. Partitë e reja koalicionuese do të marrin edhe disa vende zëvendësuese, por edhe drejtori, por ende nuk ka diçka konkrete se për çfarë bëhet fjalë.

Paraprakisht, krahu i Bilall Kasamit në Lëvizjen BESA, hoqi dorë nga bisedimet me kryeministrin Zoran Zaev për hyrje në qeveri.

Ndryshe, rikonstruimi i Qeverisë, është përmendur që në nëntor të vitit të kaluar, pasi që Aleanca për Shqiptarët doli nga Qeveria.

Sherri qeveritar u bë pasi që kryeministri Zoran Zaev, nuk pranoi propozimin e Aleancës për Shqiptarët që të emërojë ministër të Shëndetësisë, resor të cilin paraprakisht e udhëhoqi Arben Taravari i cili dha dorëheqje pasi që u zgjodh kryetar i Gostivarit. Zaev në vend të Taravarit, vendosi që ta emërojë Venko Filipçen i cili vjen nga LSDM-ja. Aleanca për Shqiptarët të gjitha dorëheqjet i ka deponuar, megjithatë të njëjtat ende nuk janë aprovuar.

Dorëheqjet nuk u janë procesuar ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe tre zëvendësministrave të Aleancës për Shqiptarët, të Punëve të Jashtme, Arta Toçi, të Transportit dhe Lidhjeve, Remzi Mehmedi dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri të cilët kanë tre muaj që janë larguar nga postet ministrore dhe ende kanë të drejtë nënshkrimi e marrje të rrogës.