ZAEV: Ja çka pres në takimin e liderëve


Kryeministri Zoran Zaev në takimin e liderëve që sonte duhet të mbahet në Klubin e deputetëve, në tavolinë si temë do ta vendosë referendumin që konform marrëveshjes me Greqinë duhet të zbatohet në vjeshtë.

“Nga takimi i liderëve pres të definojmë temën e referendumit. Kjo nënkupton të përcaktojmë datën e mbajtjes së referendumit, të definojmë çështjen e referendumit dhe karakterin e referendumit, KSHZ-në dhe krejt atë që lidhet me referendumin. Pres të dëshmojmë se me të vërtetë jemi për BE dhe NATO dhe se jemi për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Zaev gjatë vizitës së sotme në Shtip.

Ai ka dërguar porosi që të respektohet ajo që qytetarët e presin nga partitë, ndërsa siç tha “është obligim edhe sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe të realizohet ajo që partitë paraprakisht janë dakorduar”.

“KSHZ-në pas dorëheqjeve do e plotësojmë. Në takimin e fundit të liderëve bashkë njoftuam se është arritur marrëveshje e këtillë. Ligji është sjellë nëse nuk gaboj diku në maj dhe duhet ta realizojmë. Shteti nuk ka KSHZ nga fundi i vitit të kaluar dhe atë duhet ta përfundojmë”, ka thënë Zaev.