Zaev: Ditën e Alfabetit Shqip duhet ta festojmë së bashku, pasi kemi të ardhme të përbashkët


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, mbrëmë ka marrë pjesë në akademinë solemne me rastin e shënimit të 110 vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip.

Zoran Zaev në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se me shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip festohet përafrimi i dallimeve kulturore në vend.

“Gjuha dhe alfabeti i saj adekuat janë pjesë e kodit gjenetik të një populli. Në atë kod gjenetik ka elemente të identitetit dhe potenciale për komunikim, integrim shoqëror, për arsim dhe zhvillim. Obligimi jonë, obligim i shtetit është të respektohen, ruhen gjuhët e çdo bashkësie. Për këtë thërrasin edhe vlerat evropiane, si vlera që i kemi pranuar në rrugën tonë strategjike”, tha mes tjeras Zaev.

Ai përmendi kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në standardizimin e gjuhës shqipe.

“Me të drejtë themi se dallimet etnike dhe gjuhësore janë përparësi e vendit tonë. Pasuri e jona e përbashkët. Festën e Alfabetit Shqip duhet ta festojmë së bashku, pasi e ardhmja jonë është e përbashkët. Modeli jonë për të ardhmen fillon me respektimin e të gjitha bashkësive, ku të gjitha dallimet kulturore respektohen dhe bashkëpunohet mes vete”, tha Zoran Zaev.

Përndryshe, në shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip kanë marrë pjesë edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ai i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të partive politike dhe institucioneve tjera në Maqedoni.

Baby Boo