Zaev beson se nuk do të ketë amnisti të re (VIDEO)


Nuk ka paralajmërime për amnisti të re, as nga ana e Ministrisë së drejtësisë, as nga ana e presidentit të shtetit, i cili më nuk e ka atë mundësi ligjore. Këtë e ka deklaruar kryeministri Zoran, Zaev, pas daljes nga Gjykata Penale ku ishte i ftuar të dëshmojë në cilësinë e personit të dëmtuar në hetimin për kërcënimet për jetë. Zaev tha se Ligji për Amnistimin e të akuzuarve për ngjarjet e 27 prillit u soll në momente kur ishte e nevojshme shumicë prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese.

Zoran Zaev, kryeministër

“Nuk ka më nevojë për një gjë të tillë, nuk ka raste të tilla. Askush nuk ka planifikuar asgjë. Ligji për amnistim u bë në kuadër të pajtimit, kjo është një proces shumë serioz, ku shteti kishte nevojë për shumicë prej dy të tretat, e them këtë publikisht dhe nuk ik nga kjo. Besoj se Kuvendi nuk ka nevojë të merret përsëri me gjëra të tilla, ngase ky rast ishte qartë i diferencuar, ku u ndanë të gjithë ata që morën pjesë në organizimin e dhunës, nga ata që u mashtruan në atë rast. Nuk besoj se askush nga institucionet, as Ministria e drejtësisë, as presidenti do të hap rast të tillë të amnistisë”

Kujtojmë se nga Ligji për Amnisti përfituan 16 persona, përfshirë këtu edhe pesë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Personat që nuk u përfshinë me Ligjin për amnisti u dënuan me 211 vjet burg për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.

Në mesin e të dënuarve është edhe ish drejtori i DSK-së, Mitko Çavkov i cili do të duhet të vuaj 18 vite burg. Ndërkohë agjenti Munir Pepiq u dënua me 15 vite burg. Me 15 vite burg u dënuan edhe Jane Çento, Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski-Levi, Vllatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski Koljo. Në mesin e të dënuarve është edhe Abdulfeta Alimi i cili u dënua me shtatë vite burg. Enis Murtezi /SHENJA/

Baby Boo