Xhaferi: Kjo që ju drejtohem shqip, realitet dhe shenjë se kemi për çka të jemi krenarë


Marrëveshja e Ohrit e transformoi shoqërinë dhe na maturoi si politikanë e qytetarë. Hapi edhe horizonte të reja duke na e hapur pikturën e madhe e cila ka një qëllim – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Kështu kryeparlamentari Talat Xhaferi e nisi tregimin e tij për rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit në ngjarjen e shënimit të 20-vjetorit të nënshkrimit të saj.

Tha se kjo Marrëveshje mundësoi që vendi ynë “të jetë rrëfim i suksesshëm për një demokraci parlamentare të avancuar, bashkëkohore, tani më vend-anëtar i plotfuqishëm i NATO-s, me shpresë së shpejti edhe anëtar i familjes së madhe evropiane, por mbi të gjitha, shtëpi e të gjithë pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike, fetare, kulturore, shtëpi e të gjithë qytetarëve!
Përmendi edhe faktorin ndërkombëtar, që sipas tij luajti rol të rëndësishëm në arritjen e MO-së.

Ndërkaq kujtoi edhe efektet.
“Kjo që ju drejtohem shqip është realitet dhe shenjë se kemi për çka të jemi krenarë, por, assesi të konsiderojmë se e kemi mbaruar detyrën e shtëpisë, sepse, siç thotë edhe motoja e vetë manifestimit – PËRTEJ OHRIT, sepse procesi vazhdon, sfidat nuk shteren dhe rrugëtimi ynë si shtet do të rrumbullakohet atëherë kur të përmbushim edhe përcaktimin dhe qëllimin tonë të dytë strategjik si vend, respektivisht, pas anëtarësimit të plotfuqishëm në Aleancën e NATO-s, të fillojmë edhe negociatat me Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të datës për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Dhe, përsëri, asgjë nuk përfundon këtu! Kujdesi dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive, natyrisht edhe përmbushja e obligimeve të çdo një qytetari”, tha Xhaferi

Baby Boo