VV: Të lëshohet flet-arrest për Thaçin


Derisa në Bruksel sonte pritet takimi i radhës i presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar sot shkuarjen e presidentit Hashim Thaçi atje.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se takimi i presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel nuk u lajmërua më herët me qëllim të pamundësimit të ndonjë organizimi institucional në Kosovë, apo reagim të opozitës dhe qytetarëve.

Duke përsëritur se Hashim Thaçi po dialogon në Bruksel pa mandat, zyrtarë të Vetëvendosjes thanë se është shqetësuese gatishmëria e presidentit të japë territor të Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia.

Sipas tyre, Thaçi do të duhej të paraqitej para gjykatës për këto veprime meqë, siç thonë ata, po e shkel  Kushtetutën.

Në një konferencë me gazetarë, Glauk Konjufca ka thënë se Thaçi nuk ka njoftuar më herët për takimin, pasi ka dashur të pamundësojë çdo reagim të opozitës, apo qytetarëve, si dhe ndonjë organizim të mundshëm institucional.

Duke përkujtuar se Thaçi nuk ka mandat të Kuvendit të Kosovës të dialogojë në Bruksel, Konjufca tha se presidenti me shkuarjen e tij në takim me Akleksandar Vuçiqin po e shkel Kushtetutën, andaj duhet të lëshohej flet-arrest për të.

Sipas Konjufcës, Hashim Thaci ka nxjerr tre produkte të dëmshme për Kosovën, nga bisedimet me Serbinë: formimin e Listës Serbe, që siç tha ai, bllokon proceset ekzistenciale për shtetin e Kosovës, asociacionin serb dhe “legalizimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë, në polici, AKI e drejtësi”.

Sipas tij, marrëveshja Kosovë-Serbi është fare pranë, andaj për të mos prodhuar reagime legjitime, këto takime po mbahen ‘maksimalisht sekrete’.

Në këtë konferencë, po ashtu, u tha se Kosova mund të shtet i suksesshëm pa njohjen e Serbisë.

Baby Boo